Vaksina, basti i fituar i Kubës

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Vaksina, basti i fituar i Kubës

Gjenerali Máximo Gómez, figurë e rëndësishme e luftërave për pavarësinë e Kubës nga Spanja në shekullin XIX ka thënë: “Kubanët ose nuk e përmbushin objektivin, ose e tejkalojnë atë.”

Një shekull e gjysmë më vonë, ky aforizëm është një e vërtetë e pastër. Ishulli komunist ia ka dalë të vaksionojë qytetarët e vet në një shkallë të tillë që ua kalon edhe vendeve më të përparuara të botës.

Më shumë se 90% e popullsisë është vaksinuar me të paktën një dozë, ndërsa 83% i kanë bërë të dy dozat. Nga vendet me popullsi mbi një milion, vetëm Emiratet e Bashkuara Arabe kanë një rekord më të fortë vaksinimi.

“Kuba është viktimë e realizmit magjik”, citon The Guardian John Kirk, profesor emeritus i studimeve të Amerikës Latine në Universitetin Dalhousie, Kanada. “Ideja që Kuba, me vetëm 11 milionë njerëz dhe të ardhura të kufizuara, mund të jetë një fuqi bioteknike, mund të jetë e pakuptueshme për ata që punojnë në Pfizer, por për Kubën është e mundur.”

Advertisement

Ashtu si shumica e vendeve të Amerikës Latine, Kuba e dinte se do të kishte vështirësi për të blerë vaksina në tregun ndërkombëtar. Kështu, në mars 2020, me rënien e rezervave valutore për shkak të humbjes së të ardhurave nga turizmi dhe sanksioneve të shtuara nga ana e SHBA-ve, shkencëtarët e ishullit iu futën punës.

Bastin e fituan: në pranverë, Kuba u bë vendi më i vogël në botë që zhvilloi dhe prodhoi me sukses vaksinat e veta kundër Covid. Që atëherë, shërbimi shëndetësor kuban ka injektuar vaksina duke arritur deri te fëmijët e vegjël (i gjithë vaksinimi në ishull është vullnetar).

Të dy vaksinat janë mbi 90% efektive, sipas testeve klinike të kryera në Kubë pranverën e kaluar. Ato i ulën normat e infeksionit nga më të lartat në hemisferën perëndimore verën e kaluar, në nivele të ulëta sot.

Gushtin e kaluar, ishulli raportonte qindra vdekje nga Covid në javë; javën e kaluar ishin vetëm tre.

Advertisement

Suksesi i vaksinës është edhe më i habitshëm kur merr parasysh gjendjen e sistemit shëndetësor kuban. Për shkak të krizës dhe inflacionit, 20 tableta amoksicilinë në tregun e zi kushtojnë sa paga minimale e një muaji.

Gregory Biniowsky, avokat në Havana, thotë se ky është konkretizimi i ëndrrës së Fidel Kastros, i cili investoi një miliard dollarë në bioteknologji pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. “Çdo këshilltar do t’i kishte thënë se nuk ishte koha për të investuar burime në diçka që mund të jepte fryte të paktën 25 vjet më vonë. E megjithatë ja ku jemi tani … frytet e investimeve bioteknikologjike po shpëtojnë jetë”, tha ai.

“Kuba ka tendencën t’ia dalë me gjërat e mëdha dhe të ngecë në gjërat e përditshme,” thotë Hal Klepak, profesor i historisë dhe strategjisë në Kolegjin Mbretëror Ushtarak të Kanadasë.

“E gjithë ideja e elektrifikimit të vendit [në më pak se një dekadë], heqja e analfabetizmit në 2.5 vjet dhe internacionalizmi mjekësor – të gjitha ishin thjesht skema të çmendura. Dhe kubanët ia dolën në to”, shprehet ai.

Advertisement

Sot, Kuba çon me dhjetëra mijëra mjekë dhe infermierë për punë humanitare jashtë vendit – por nuk arrin të kultivojë mjaftueshëm patate për popullatën.

Sistemi shumë i centralizuar i planifikimit shtetëror – një nga të fundit në botë – e shpjegon disi këtë paradoks. Kur ka vullnet politik nga lart, objektivat mund të çohen përpara; kur ka mungesë drejtimi, gjërat ngecin.

“Në kapitalizëm, edhe për gjëra shumë të vogla, është gjithmonë dikush që mbush tregun,” thotë Klepak. “Dallimi në rastin e Kubës është se për vendimmarrjen [në masën më të madhe atë ekonomike], nuk ka kush ta bëjë tjetër përveç shtetit”, vijon ai.

Pas regjistrimit të më pak se 100 rasteve në ditë për javë të tëra, shkalla e infeksionit tani po rritet për shkak të variantit Omicron. Shkencëtarët kubanë nuk kanë publikuar të dhëna mbi efikasitetin e vaksinave të tyre kundër Omicron, por kanë filluar punën për ta përditësuar vaksinën për variantin e ri.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy