A dinë fëmijët tuaj për korrupsionin?

Pinterest LinkedIn Tumblr +
A dinë fëmijët tuaj për korrupsionin?

A flisni hapur me fëmijët tuaj për korrupsionin? Sa janë të vetëdijshëm fëmijët tuaj për korrupsionin në shoqëri? A dinë se ku të ankohen nëse janë dëshmitarë të korrupsionit?

Të gjitha vendet kanë problem me korrupsionin, por në masë të ndryshme. Kjo e ashtuquajtur sëmundje shoqërore në vendin tonë ka zënë rrënjë në çdo institucion, gjë që padyshim e shkatërron ekonominë, minon stabilitetin shoqëror dhe bren besimin e publikut.

Të rinjtë si aktorët kryesorë në zgjidhjen e problemit shoqëror

Korrupsioni nuk i dëmton vetëm të rriturit, por edhe të rinjtë. Për fat të keq, hulumtimet tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së re nuk njeh forma të caktuara të korrupsionit dhe është veçanërisht e dobët në njohjen e konflikteve të interesit – kur dikush është në gjendje të vendosë për përfitime personale ose të dikujt tjetër. Është shqetësues fakti që ekziston një nivel i lartë i tolerancës për këto dukuri negative, çka e thekson më tej nevojën për të krijuar një klimë anti-korrupsioni nëpër shkolla.

Advertisement

Debatet publike, shkëmbimi i mendimeve, përfshirja e temës në programet arsimore, janë aktivitete që do të kontribuojnë në çrrënjosjen më të shpejtë të korrupsionit, si në arsim, ashtu edhe në të gjitha sferat e tjera të shoqërisë.

Edukimi anti-korrupsion nëpër shkolla

Mungesa e njohjes së përgjithshme të korrupsionit i bën të rinjtë më të prekshëm dhe më pak rezistentë ndaj korrupsionit. Procesi arsimor mund t'i përgatisë të rinjtë ta njohin korrupsionin, format e tij dhe mënyrat në të cilat ata mund ta parandalojnë ose raportojnë atë. Lufta kundër korrupsionit është tashmë temë në arsimin fillor, ndërsa kohët e fundit ka hyrë si temë në arsimin e mesëm profesional, por është gjithashtu e rëndësishme që të bëhet temë edhe në arsimin e shkollave të mesme, edhe atë sa më shpejt të jetë e mundur.

Instituti për Demokraci “Societas Civilis” Shkup (IDSCS) dhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Byronë për Zhvillimin e Arsimit, në kuadër të projektit “Edukimi anti-korrupsion në shkollat e mesme“, zhvilloi ligjërata pilot për luftën kundër korrupsionit ku u përfshinë 8 shkolla të mesme, u edukuan 13 profesorë, kurse më shumë se 600 nxënës nga 6 qytete u pajisën me edukim zyrtar.

Advertisement

Edukimi anti-korrupsion i integruar në aktivitetet shkollore është një mundësi që të rinjtë të marrin të dhëna të strukturuara dhe objektive. Megjithatë, kur konsiderohet një reformë më gjithëpërfshirëse e procesit arsimor, shteti mund të vendosë qëllime më ambicioze anti-korrupsion për arsimin.

Lufta kundër korrupsionit është një proces i gjatë dhe kompleks që kërkon përfshirjen e të gjithë aktorëve në shoqëri. Qëllimi i edukimit anti-korrupsion është të ndikojë tek nxënësit, arsimtarët, madje edhe prindërit, që të angazhohen në mënyrë më ambicioze në zgjidhjen e këtij problemi shoqëror.

Prandaj, edukimi anti-korrupsion duhet të bëhet një nga qëllimet kryesore të procesit arsimor, që synon ndërtimin e brezave me integritet personal dhe të gatshëm për t’iu kundërvënë korrupsionit. Pra, përveç qëllimit arsimor, ku do t'i mësojmë të rinjtë që ta njohin korrupsionin, edukimi anti-korrupsion duhet të ketë edhe qëllim edukativ. Prandaj, që nga hyrja në arsim e deri në fund, shteti duhet të ofrojë burime arsimore që do të krijojnë vlera të rezistencës ndaj korrupsionit, të tilla si respektimi i rendit dhe ligjit, vlerësimi i sjelljes së drejtë, puna për të mirën e komunitetit dhe besimi tek njerëzit.

Duke i përfshirë të rinjtë në luftën kundër korrupsionit, vendosen vlerat dhe integriteti për ta çuar shoqërinë përpara drejt praktikave anti-korrupsion.

Advertisement

A dinë fëmijët tuaj për korrupsionin? shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy