Dibër, borxhet frenojnë investimet kapitale

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Pushteti vendor në Dibër, për shkak të investimeve të ndryshme gjatë viteve të kaluara, vazhdon edhe sot të ballafaqohet me borxhet të cilat i ka ndaj disa kompanive pjesëmarrëse në realizimin e projekteve të ndryshme. Pikërisht ky problem disa vjeçar po frenon udhëheqësinë e pushtetit vendor në Dibër të realizojë projekte kapitale në komunë.

Të dhënat e shërbimit për financa pranë Komunës Dibër thonë se dy vitet e fundit ka një pagesë të borxheve të vjetra, me çka dukshëm është ulur borxhi ndaj kompanive. Dinamika e pagesës vazhdon edhe këto ditë, thekson udhëheqësi i Sektorit për financa në Dibër, Qazim Qormemeti. Sipas tij, ka një ulje të dukshme të borxhit edhe atë nga mbi 143 mijë euro në 60 mijë euro. Në këtë drejtim, situata dukshëm është përmirësuar me çka ndikoi edhe vendimi i Qeverisë për të shlyer borxhet e komunave. Në këtë sektor informojnë se aktualisht po realizohen shumë projekte që kanë karakter lokal sidomos në sferën e infrastrukturës, por që për të realizuar projekte madhore, nevojiten më shumë mjete. Pagesa e borxheve pothuajse gjatë çdo muaji bllokon projektet madhore.

Edhe kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, ka theksuar se borxhet që janë grumbulluar gjatë viteve të kaluara, drejtpërdrejt frenojnë projektet madhore. Sipas Dukës, Dibra u ka patur shumë borxhe disa kompanive, të cilët kanë qenë realizator të projekteve. “Jemi në situatë kur ne tani jemi të detyruar të paguajmë borxhe të vjetra dhe kjo situatë nuk të mundëson që të realizosh projekte kapitale”, ka thënë Duka. Në debatin që u zhvillua në Këshillin e Komunës, u dha vlerësimi se dy vitet e fundit, pushteti vendor ka grumbulluar shumë mjete, sidomos nga tatimet komunale, por që borxhet e shumta dukshëm kanë ndikuar në mos realizimin e disa projekteve tejet të nevojshme për Dibrën. Njeriu i parë i komunës, Hekuran Duka, është përcaktuar që rregullisht ti paguajë borxhet dhe me disa kompani ka bërë edhe merrëveshje për mënyrën e pagesës.

Si projekte të cilët janë paralajmëruar në drejtim të mundësisë për financim edhe përkundrejt kësaj situate me borxhet, janë projekti për rregullimin të sheshit “Skënderbeu”, rekonstruimin e shëtitores që u ndërtua para disa viteve dhe që ka dëmtime të mëdha, intervenimi në rezervuarin qendror të ujësjellësit Rosok – Dibër, me qëllim që të përmirësohet situata me furnizimin me ujë dhe projekti në lidhje me rritjen e sigurisë në komunikacion. Por, të gjithë këto projekte normalisht do të varen nga situata financiare e komunës. “Vetëm për disa muaj, nga taksat komunale janë grumbulluar mbi 600 mijë euro”, informon kryetari Duka, ndërsa shtoi se edhe më tej do të vazhdoj grumbullimi i taksave. Kjo do të thotë se ka optimizëm se projektet e paralajmëruara edhe përkundrejt borxheve të realizohen./Koha.mk/

Advertisement

Dibër, borxhet frenojnë investimet kapitale shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy