Klerikët fetarë në Maqedoni kërkojnë të respektohet mendimi ndryshe

Pinterest LinkedIn Tumblr +

“Respektimi i mendimit ndryshe mbetet një nga shtyllat thelbësore të besimit në Islam”, thekson për Radion Evropa e Lirë myftiu i qytetit të Shkupit, Qenan Ismaili, duke rikujtuar se gjuha e përdorur në publik kërkon përgjegjësi dhe maturi.

Këto thirrje vjen në kohën e ashpërsimit të retorikës në mes të kundërshtarëve politikë që janë futur në garë për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill dhe ata parlamentare më 8 maj të këtij viti.

Myftiu i Shkupit Qenan Ismaili, thotë se festa e Fitër Bajramit, vjen pas agjërimit që do të thotë pastrim, prandaj është shumë me rëndësi për çdo besimtar që të ruajë pastërtinë e gjuhës.

“Ajo që e ngre pozicionin njeri nuk është ajo se ai flet, por ajo sa bukur flet. Në këtë drejtim edhe vetë libri hyjnor, Kurani famëlartë ka ajete që na flasin se si duhet të flasim, komunikojmë me njerëzit. Këtë po e themi pikërisht në kohën që ka filluar fushata zgjedhore kur njerëzit për të marrë disa pikë më tepër, nuk janë të kujdesshëm kur bëhet fjalë për thyerjen e zemrës së njeriut”.

Advertisement

“Ne kaluam një muaj të Ramazanit duke bërë thirrje se njerëzit nuk guxojnë të thyejnë zemrat e njerëzve për të pasur agjërim të pranuar. Sot themi se jemi në ditën festive dhe nuk guxojmë të thyejmë zemrat e të tjerëve me fjalë të ashpra … dhe kjo duhet të vazhdojë edhe më tutje, pasi në të kundërtën do të hidhëronim krijuesin e gjithësisë”, vlerëson myftiu Ismaili.

Prifti Boban Mitevski i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se qytetarët në këto troje kanë pasur kulturë dëgjimi, që paraqet themelet e tolerancës fetare dhe asaj etnike.

Ai thekson se për të mbetet e pakuptimtë mungesa e kulturës politike për të dëgjuar kundërshtarët politikë.

Duke kujtuar se edhe pak javë festohen Pashkët Ortodokse, Mitevski thekson se shoqëria në Maqedoninë e Veriut duhet të rikthejë atë vlerë që e ka pasur, atë të dëgjimit të mendimit të tjetrit.

Advertisement

“Ne sot sikur kemi frikë të dëgjojmë mendimin e palës tjetër, veçanërisht kur ai mendim nuk është në përputhje me atë që mendojmë … mendimin ndryshe e cilësojmë menjëherë si armiqësor, ose si diçka që synon të na ndryshojë bindjet”.

“Përkundrazi, ne si shoqëri duhet të mësojmë të dëgjojmë palën tjetër, pasi në këtë mënyrë para së gjithash ne ndihmojmë veten. Vetëm duke dëgjuar qëndrimet më ndryshe në fund, pas sublimimit të tyre, mund të sillen vendimet e duhura dhe ky virtyt u nevojitet udhëheqësve politikë” deklaron Mitevski.

Kandidatët për president të shtetit, gjatë nënshkrimit të Kodeksit për zgjedhje të ndershme dhe demokratike, u zotuan ditë më parë se nuk do të përdorin gjuhë të urrejtjes gjatë fushatës zgjedhore, duke u shprehur pro atmosferës pozitive.

“Nuk do të përdorin gjuhë të urrejtjes dhe nuk do të kryejnë asnjë diskriminim dhe përçmim të bazuar në gjini, përmes veprimeve dhe aktiviteteve të tyre do të marrin pjesë në forcimin e vlerave themelore të demokracisë dhe do të kontribuojnë në ndërtimin e besimit në sistemin zgjedhor”, thuhet në tekstin e Kodeksit zgjedhor.

Advertisement

Por, nga Instituti për Studime të Komunikimit, që tashmë disa muaj me radhë monitoron ueb faqet e partive politike në rrjete sociale, thonë se duket qartë se me afrimin e datës së zgjedhjeve është ashpërsuar dukshëm edhe narracioni mes mbështetësve të njërit apo tjetrit tabor, ndërkohë që vetë kandidatët për president dhe ata për pozitën e deputetit përpiqen të jenë më të përmbajtur kur bëhet fjalë për fjalorin denigrues, megjithëse në shumicën e rasteve nuk ia dalin./REL/

Klerikët fetarë në Maqedoni kërkojnë të respektohet mendimi ndryshe shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy