Krerët e RMV-së urojnë Ditën Kombëtare të Vllehëve

Pinterest LinkedIn Tumblr +

23 Maji është Dita e Vllehëve. E me këtë rast krerët e shtetit kanë dërguar urime deri te pjesëtarët e komunitetit vlleh në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Presidenti Pendraovski thotë se pjesëtarët nga ky komunitet ushtrojnë të drejtën e organizimit civil dhe politik, duke i gëzuar të gjitha të drejtat si bashkësitë e tjera etnike në vend.

“Në këtë ditë të vitit 1905 është lëshuar një dekret i cili pranonte brenda Perandorisë Osmane realitetin se vllehët janë një popull i veçantë me gjuhën e tyre, kulturën dhe identitetin e tyre. Me këtë u hap një kapitull i ri në historinë e gjatë dhe të pasur të popullit vlleh, që dëshmon për kontributin e madh të vllehve në luftën për një shtet të lirë dhe të pavarur . Sot, pjesëtarët e komunitetit vlleh në Maqedoninë e Veriut ushtrojnë të drejtën e organizimit civil dhe politik, duke i gëzuar të gjitha të drejtat si bashkësitë e tjera etnike. Vllehët kontribuojnë në mënyrë aktive në rrjedhat shoqërore dhe në të gjitha segmentet e jetës së përditshme. Obligimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është që të vazhdojë ta ruajë, zhvillojë dhe promovojë identitetin etnik, gjuhësor dhe kulturor të vllehve në frymën e vlerave evropiane. Gëzuar 23 majin – Ditën Nacionale të Vllehëve”, thuhet në urimin e presidentit Stevo Pendarovski.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi thotë se tani është koha që të gjithë komunitetet, përfshi atë vlleh, të bashkohen për ballafaqim me sfidat e vendit tonë.

“Më lejoni që në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal t’ju uroj 23 Majin, Ditën kombëtare të vllahëve. Drejtoj urime të sinqerta për një ditë të bukur festive, të kaluar në paqen dhe qetësinë që e ofron shtëpia familjare përplot njerëz të afërt dhe të dashur. Tani më shumë se kurdoherë duhet të bashkohemi, të dëgjojmë dhe shohim njëri tjetrin, të bëhemi krahu i mbështetjes dhe inkurajimit për të afërmit tanë, për fëmijët dhe për shtetin tonë. Sfidat me të cilat ballafaqohet e tërë bota pjesë e pakontestueshme e së cilës jemi edhe ne, sado të vegjël që jemi, kanë reflektimin e vet negativ mbi përditshmërinë dhe shprehitë që i kemi pasur. Qoftë të bëhet fjalë për krizën ekonomike, energjetike, ushqimore, qoftë të bëhet fjalë për atë më thelbësoren-jetën si bekim, ambientin tonë jetësor dhe planetin Tokë që ndryshohet prej dite në ditë. Nuk mund të anashkalojmë as jostabilitetin politik në vendin tonë, i cili reflektohet mbi përparimin e parashikuar dhe të pritur kah përmbushja e qëllimeve strategjike të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjithë kjo është motiv të jemi të bashkuar, të ndajmë të mirën dhe të keqen, të gëzohemi dhe të pikëllohemi edhe për sukseset, edhe për disfatat, sepse edhe ato janë të përbashkëta. Republika e Maqedonisë së Veriut, është shtëpia jonë e përbashkët e ngrohtë dhe e sigurt, dhe vendi ku më së miri i shprehim veçoritë tona, a sërish të bashkuar në një tërësi unike ku çdo bashkësi është pjesë e vlefshme e cila kontribuon pa rezervë me atë që mundet më së miri për qëllimin e përbashkët – Republika e Maqedonisë së Veriut e prosperuar dhe e suksesshme! Edhe njëherë, urime dhe Ju dëshiroj ditë të bukur festive!”, thuhet në urimin e Xhaferit.

Advertisement

Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se ky komunitet luan rol të rëndësishëm në kohezionin e shtetit.

“Duke promovuar parimet e tolerancës, besimit dhe respektit, ju jepni një kontribut të madh në ndërtimin e vendit tonë si një shoqëri për të gjithë. Ju shpreh respektin dhe mirënjohjen e duhur për edukimin dhe promovimin e ndërkulturalizmit, kohezionit social dhe vlerave demokratike në Maqedoninë e Veriut. Ju keni mbështetjen time të plotë për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditës suaj sepse me mbrojtjen e tyre ne mbrojmë edhe identitetin e përbashkët të shoqërisë sonë demokratike, multikulturore dhe multietnike”, shkruan Kovaçevski.

Krerët e RMV-së urojnë Ditën Kombëtare të Vllehëve shkruan Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy