Maqedoni, në shkolla pak diskutohet për shëndetin mendor

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Më 2019 “Rinia Mundet” ka kryer një anketë mbi perceptimet e të rinjve për shëndetin mendor dhe kujdesin ndaj tij, ku të rinjtë më së shumti raportuan ndjenja stresi (51.1%), depresioni (42.1%), ankthi (32.2%), ndërsa më shumë se gjysma treguan se ose tani ose më herët janë përballur me ndonjë problem të shëndetit mendor.

Shëndeti mendor në shkollat e mesme mbetet ende një temë e nën-përfaqësuar, thonë nga “Rinia Mundet”, dhe e gjithë kjo sipas tyre vërtetohet nga qëndrimet e gjimnazistëve dhe ekspertëve, ndërsa promotorët kryesor të aktiviteteve që lidhen me shëndetin mendor vazhdojnë të mbesin organizatat ndërkombëtare si dhe shoqëria civile. “Tek gjimnazistët perceptimi që mbizotëron është ai se institucionet arsimore nuk inkurajojnë programe të tilla, por që ato janë vetëm rezultat i përpjekjeve të jashtme. Përmes një bashkëbisedimi me nxënësin mund të konstatohet edhe se tek ata ekziston bindja se profesorët nuk janë të interesuar për temat e tilla, të cilat kanë të bëjnë me shëndetin mendor, si dhe që atyre u mungon hapësira për t’u shprehur rreth problemeve të tyre dhe për të dhënë sugjerime. Disa prej tyre besojnë edhe se shumë profesorë janë mendje mbyllur, dhe problemet mendore i kuptojnë si problem atipik dhe jonormal”, theksojnë nga kjo organizatë.

Ndërsa sa i përket rekomandimeve në sistemin arsimor është i nevojshëm krijimi i shkollave edukuese dhe përkujdesëse. Vizioni i “Rinia Mundet” është që të gjitha institucionet shtetërore të zbatojnë si dhe monitorojnë në mënyrë rutinore strategjitë dhe masat për shëndetin mendor të të rinjve, me mbështetje të fuqishme edhe nga organizatat ndërkombëtare e shoqëritë civile të cilat janë të përfshira drejtpërdrejtë. “Është e rëndësishme që këto strategji të arrijnë tek të gjithë të rinjtë, përfshirë këtu edhe grupet e margjinalizuara dhe të cenueshme. Për më tepër, është e rëndësishme që ato të përshtaten me kontekstin në të cilin jetojnë të rinjtë, si dhe të jenë të përshtatshme për nevojat zhvillimore specifike të moshës, në vend të masave uniformuese”, thonë nga atje duke potencuar gjithashtu ndërhyrjet psikosociale në nivelin e tyre bazë të cilat synojnë të sigurojnë standardet e nevojshme për shëndetin, sigurinë dhe dinjitetin e të rinjve dhe të familjarëve të tyre.

E dyta i referohet edukimit të bashkëmoshatarëve për shëndetin mendor mes gjimnazistëve. “Programi filloi me krijimin dhe përditësimit e një manuali për edukimin e bashkëmoshatarëve rreth shëndetit mendor nga një ekip ekspertësh profesionistë. Në këtë proces, me trajnime intensive trajnohen edhe edukatorët e rinj të shëndetit mendor mes bashkëmoshatarëve të cilët përsosin manualin e krijuar dhe aftësohen për të punuar sipas tij. Pas kësaj, fillon procesi i edukimit të bashkëmoshatarëve nga të rinjtë për të rinjtë me tema; shëndeti mendor, vetë-kujdesi, lidhjet dhe marrëdhëniet, ndryshimet dhe mbështetja, si ofrohet ndihma e parë psikologjike”, thonë nga “Rinia Mundet”.

Advertisement

Ata përmenden edhe nevojën për ndryshime në Ligjin për kujdes shëndetësor ku theksuan nevojën për psikolog për çdo të ri pasi sipas tyre, një zgjidhje e tillë do të kishte efekt shumë dimensional. Pjesa tjetër e rekomandimeve varion në drejtime për fushata për rëndësinë e shëndetit mendor tek të rinjtë si dhe mënyrat e kujdesit për të. Mes tjerash, ata duan të zhvillojnë kanale komunikimi mes mjekëve familjar me institucionet që janë në varësi të MPPS-së, MASH-it dhe MPB-së për përcaktimin e protokolleve për raportimin dhe trajtimin e situatave të dhunës familjare, dhunës nga bashkëmoshatarët, abuzimi me substanca, varësia nga interneti, shenjat e hershme të çrregullimeve të sjelljes mendore. Rekomandime kanë edhe për MPPS-në që përveç vazhdimit të shkollimit, të emërojnë edhe staf profesional që do të punojë me shkollat në nivel komune. “Duhet ofruar ndihmë sociale për fëmijët e familjeve të varfra, materiale shkollore, transport falas, dhe mbështetje psiko-sociale të organizuar në shkolla apo qendra sociale”, thonë nga organizata duke shtuar se ka nevojë edhe për zhvillim, përkatësisht përmirësim të programeve për mbështetje psiko-sociale të të rinjve në grupe, si dhe programe për punësimin e të rinjve nga kategoritë vulnerabël.

OBSH tashmë ka njoftuar se në nivel global, 1 në 7 fëmijë nën moshën 19 vjeç do të ketë një çrregullim mendor. Përveç kësaj ata thanë se çrregullimet e sjelljes, depresioni, ankthi janë problemet më të zakonshme tek të rinjtë. Nga “Rinia Mundet” theksojnë se problemet me hiper-aktivitetin dhe vëmendjen janë gjithashtu pjesë e problemeve me të cilat përballen të rinjtë për çka edhe shkaku i katërt i vdekjeve tek 15-19 vjeçarët janë vetëvrasjet. Më 2019 “Rinia Mundet” ka kryer një anketë mbi perceptimet e të rinjve për shëndetin mendor dhe kujdesin ndaj tij, anketë e cila u krye me 425 nxënës nga shkolla të mesme publike. Në këtë anketë, të rinjtë më së shumti raportuan ndjenja stresi (51.1%), depresioni (42.1%), ankthi (32.2%), ndërsa më shumë se gjysma treguan se ose tani ose më herët janë përballur me ndonjë problem të shëndetit mendor. Përqindja e atyre që do donin të kishin akses në terapi individuale me psikoterapist ishte 44.7%, që konsiderohet e lartë. (koha.mk)

Maqedoni, në shkolla pak diskutohet për shëndetin mendor shkruan Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy