Sindikalistët në Maqedoni kërcënojnë me grevë masovike

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Sindikalistët paralajmërojnë grevë masovike, në rast se nuk ju rriten pagat e punonjësve. Me përjashtime të vogla, nuk ka të punësuar në sektorin publik që është I kënaqur me nivelin e të ardhurave mujore, andaj nuk është aspak në rregull që të kemi një rritje kaq të madhe me 78 për qind për pagat e funksionarëve, ndërsa punonjësit të mbesin ne duar bosh, thotë numri një i Sindikatës së Administratës dhe Gjyqësorit, Trpe Deanovski.

Pagë prej 33 mijë denarë me fakultet

Të gjitha premtimet e deritanishme nga qeveria aktuale, por edhe të tjerat si dhe borxhet që kanë ndaj nesh udhëzojnë se një i punësuar me fakultet që merr pagë me 23 mijë denarë duhet të ketë rritje të menjëhershme të pagës për 10 mijë denarë më të lartë, thekson ai. Qeveria dhe sindikatat po bëjnë hesape të ndryshme për rritjen e pagave të punësuarve në administratë. Aktualisht në tryezën e bisedimeve janë dy metodologji. Ekzekutivi propozon që të gjitha pagat në sektorin publik të përcaktohen sipas pagës minimale si bazë plus një pikë plus shumëzuar me vlerën e pikës. Kjo është një metodologji që përfshin një projeksion se si do të rriteshin pagat në 4 vitet e ardhshme. Mirëpo Sindikatat nuk pajtohen me këtë metodologji dhe kërkojnë që për bazë të merret paga mesatare, e cila është më e lartë dhe tani është 34.925 denarë që do të shumëzohet me koeficientin e kompleksitetit.

Nga Qeveria gjithashtu janë në favor të thjeshtësimit të përcaktimit të pagave në shtet, në vend të 200 akteve ligjore ekzistuese që rregullojnë pagat në sektorin publik, si dhe përmes marrëveshjes së përgjithshme kolektive dhe zgjidhjeve të tjera ligjore do t’i reduktojë ato deri në maksimum në pesë apo gjashtë zgjidhje. Nga ana tjetër, Sindikalistët thonë se me modelin e ofruar nga qeveria, pagat e tyre do të rriteshin për 4 deri në 5 vjet dhe kërkojnë rritje të menjëhershme.

Advertisement

“Me metodologjinë tonë, bashkëpunëtori më i ri, nëse nënshkruhet menjëherë marrëveshja do të marrë 33.270 denarë. Katër vite janë një periudhë shumë e gjatë për të pritur një rritje të mirë, sepse nëse kërkesa jonë pranohet, punonjësi i ri do të merrte rritje menjëherë nga përafërsisht 9 deri në 10 mijë denarë, ndërsa me ofertën e Qeverisë e njëjta gjë do të ndodhte në 4 deri 5 vite”, thekson Deanoski.

Kundërshtime për përllogaritjen

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi thotë se zgjidhja e dhënë tani nga Sindikata, është më e keqe se zgjidhja jonë. “Nëse, sipas parashikimeve tona, bashkëpunëtori i ri do të merrte 38.000 denarë paga për 4 vjet, sipas koeficientit të ofruar nga sindikata me 0.8 për qind, ai bashkëpunëtor i ri do të merrte 27.000 denarë në pagë, edhe nëse ekziston një projeksion për rritjen e pagës mesatare. Le të rritet edhe paga mesatare edhe nëse rritet deri në 40.000 denarë, koeficienti gjithmonë do ta zvogëlojë atë,dhe paga e bashkëpunëtorit më të ri do të jetë 32.000. Ne themi se me metodologjinë tonë ai do të merr 38.000 denarë”, thekson Bytyqi. Në ndërkohë po bëhen përgatitjet për uljen e pagave të funksionarëve që u rritën me vendimin e Gjykatës Kushtetuese me 78 për qind.

Ministria e Financave po bën një simulim se si do të jenë pagat e reja në sektorin publik dhe ai simulim do të tregojë se pagat të cilat janë rritur jashtëzakonisht shumë do të duhet të zvogëlohen.

Advertisement

Nga Ministria e Financave thonë se pagat në sektorin publik do të zgjidhen me një zgjidhje sistemore të qëndrueshme, me ç’rast nuk do të ketë hapësirë ​​për zgjidhje të fragmentuara në sistem dhe shfrytëzimin e saj për qëllime politike në të ardhmen.

“Bëhet fjalë për reformë të madhe që nuk mund të zgjidhet ad hok, por do të zgjidhet në mënyrë sistemore përmes dialogut me sindikatat si partnere në këtë proces. Është thelbësore që me anë të kësaj zgjidhjeje të synohet tejkalimi i situatës që krijon zgjidhje parciale që nxisin pakënaqësi. Aktualisht, mundohemi ta tejkalojmë këtë, me anë të dialogut në Këshillin Ekonomik dhe Social, ku duhet të arrijmë zgjidhje më optimale. Kemi bazë solide për të arritur në zgjidhje sistemore dhe të qëndrueshme, zgjidhje që do të vlejë për të gjithë në sektorin publik, duke përfshirë edhe të punësuarit në Ministrinë e Financave dhe institucionet tjera ku ka diferenca të tilla”, thotë ministri i Financave, Fatmir Besimi Besimi. Sipas tij, Qeveria ofron përkrahje për zgjidhjen e kësaj çështjeje, ku sistemi që do të pranohet do të implementohet në buxhet.

“Ky sistem do të zbatohet me plotfuqishmërinë e ligjit, ku nuk do të ketë nevojë për negociata dhe nuk do të shfrytëzohet për pikë politike. Kjo çështje do të zgjidhet me qasje të ngjashme si me pagën minimale, për të cilën krijuam sistem dhe tashmë këtë vit askush nuk parashtron pyetje të tillë. Paga minimale me ligj u rrit gjatë muajit mars të këtij viti dhe kjo do të vijojë edhe në të ardhmen”, thekson Besimi duke shtuar se në kuadër të negociatave me sindikatat, janë afër përcaktimit të metodologjisë së re të pagave.

Kroacia, paga më të larta, por edhe largim nga puna

Advertisement

Ndër risitë më të mëdha të Ligji për Pagat në Administratë dhe Shërbimet Publike , do të jetë rregullimi i pagave në sektorin shtetëror dhe publik që do t’u mundësojë punëtorëve rritje deri në 30 për qind, si dhe largime më të shpejta nga puna. Një pagë më e lartë deri në 30 për qind për ata që janë të shkëlqyeshëm në vendin e punës, dhe një bonus vjetor deri në 995 euro, largim nga puna për ata punonjës në shtetin dhe shërbimet publike që marrin vlerësim “të pakënaqshëm”. Do të anulohen apo zhbëhen edhe më shumë se 560 shtesa pagash , që do të shndërrohen në koeficientë që variojnë nga 0.90 në 8. Ligji i reformave, i cili u prit prej 20 vitesh në Kroaci është kusht për marrjen e një kësti prej 700 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian si pjesë e Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Rezistencës. Ai do t’i kushtojë shtetit 1.8 miliard euro në dhjetë vitet e para. Pjesa më e madhe e të cilave 1.7 miliard euro i referohet pagesës së bonuseve të performancave të reja të suksesit si dhe 158.3 milionë euro për shpërblimet vjetore.

Sistemi aktual i pagave në shërbimet shtetërore dhe publike, është treguar plotësisht joefektiv, me rreth 300 rregullore që e rregullojnë këtë çështje, kështu që nuk merret pagesa e barabartë për të njëjtën punë, ndërsa 567 shtesa pagash që janë kontraktuar me marrëveshje kolektive i anulojnë koeficientët ekzistues.

Në punë shtetit nuk mund të marrësh rrogë më të madhe për sukses, ekziston inflacion i vendeve të punës, pra ekziston koeficient 1.523 për postin e këshilltarit të lartë profesional, ndërsa i njëjti këshilltar i rindërtimit ka koeficientin 2.3. Nuk është e mundur të avancohet në sistem, administrata i nënshtrohet ndikimeve politike, pagat nuk pasqyrojnë efikasitetin e nëpunësve dhe shumë shpesh të ardhurat nuk janë inkurajuese. Sipas Ministrisë Kroate së Drejtësisë dhe Administratës, ky ligj duhet të ndryshojë gjithçka. Për rreth 240 mijë punonjës në shërbimet shtetërore dhe publike me disa qindra koeficient, do të vendosen vetëm 16 grada pagese, brenda të cilave do të përcaktohen koeficientët nga 0.90 deri në 8./Koha.mk/

Sindikalistët në Maqedoni kërcënojnë me grevë masovike shkruan Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy