Bullgaria beson se RMV-ja do të bëhet anëtare fuqiplotë e BE-së, në bazë të kontributit vetanak, thotë Kryeparlamentari bullgar, Rosen Zheljazkov, në intervistën për median bullgare “BGNES”.
“Vlerësojmë se do t`i përmbushin kushtet për anëtarësim dhe nuk duhet të humbin kohë, për shkak se kjo mund të shndërrohet në skepticizëm. U duhen akte të shpejta dhe definitivisht vendime pa kërkuar shkaqet jashtë tyre. Shumë e rëndësishme është që shkaqet, qëllimet dhe sukseset të jenë të tyre”, tha Rosen Zheljazkov, kryetar i Kuvendit të Bullgarisë.
Ndryshe, në kuadër të shënimit të Ditës së Iluministëve mbarësllav Shën Kirilit dhe Metodit, Kryeparlamentari bullgar Zheljazkov dhe homologu i tij nga Maqedonia e Veriut, Talat Xhaferi, bashkërisht vendosën kurora me lule para pllakës përkujtimore bullgare dhe maqedonase në bazilikën “Santa Marija Maxhore”.
Zheljazkov ka theksuar se për Bullgarinë i rëndësishëm është kushti i vendosur nga Komisioni Evropian për ndryshime kushtetuese, me të cilat, siç thuhet në intervistë, Bullgarët duhet të futen si popull shtetformues në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.
“Është parakusht absolut për nisje të negociatave. Nuk është çështje dypalëshe, është kusht i vendosur dhe evidentuar në kushtet për nisje të negociatave që ndiqet nga KE-ja. Kushtet i ka vendosur Komisioni Evropian dhe për ne me rëndësi është që të plotësohen pasi lidhen me të drejtat e Bullgarëve në RMV”, tha Rosen Zheljazkov, kryetar i Kuvendit të Bullgarisë.
Javën e kaluar u ashpërsua retorika në relacionin Shkup – Sofje, pasi Kryeministri Kovaçevski në fjalimin e tij në Këshillin e Evropës në Rejkjavik më 17 Maj tha se diskursi që Bullgaria e shfrytëzon ndaj Maqedonisë së Veriut, është I ngjashëm me atë të Federatës ruse ndaj Ukrainës.
Retorika e ashpër e Kovaçevskit erdhi si përgjigje ndaj përfaqësueses bullgare në këtë Samit, Ilijana Jotovës, e cila kishte akuzuar për shkelje sistematike të të drejtave të Bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.
The post Zheljazkov: Futja e bullgarëve në Kushtetutë është kusht i BE-së appeared first on Telegrafi.