
Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me bisedat e publikuara në rrjete sociale, ku disa efektivë gjatë bisedës së tyre shkelin etikën e komunikimit. Në një njoftim policia sqaron se shefi i Krimeve në Komisariatin nr.1 të Tiranës është pezulluar nga puna për një periudhë 30 ditore.
“Menjëherë pas marrjes dijeni, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka pezulluar nga detyra, për një periudhë 30-ditore, Shefin për Krimet në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në DVP Tiranë, Komisar R. D., për shkelje të rëndë disiplinore, të parashikuar nga neni 204 i rregullores së Policisë së Shtetit”, thuhet në njoftim.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po punon për zbardhjen e plotë të këtij rasti.
Në media kanë qarkulluar komunikime të efektivëve në grupin e chatit të komisariatit nr.1, ku shefat në komunikimin e tyre flasin me komente seksiste.