Përpjeka e tretë për ta mbledhur fizikisht “zgjedhoren”, pati të njëjtin fat, dështimin. As këtë herë qeveria dhe opozita nuk u ulën në të njëjtën tryezë për të ngritur siparin e diskutimeve me shoqërinë civile.
Deputetët demokratë të dy grupimeve Sali Berishës dhe Gazmend Bardhit ishin ndarë në dy grupe. Të papërjashtuarit u futën në sallë, ku u zunë vendet socialistëve ndërsa të përjashtuarit qëndruan jashtë saj,duke pamundësuar hyrjen e bashkëkryetarit socialist Damian Gjiknuri dhe të tjerëve.
Bllokadën e demokratëve ndaj socialistëve e udhëhoqi Flamur Noka.
Ndërsa Gazmend Bardhi u përball me ata pak socialistë që arritën të futeshin në sallën ku duhej të zhvillohej komisioni për reformën zgjedhore.
Socialistët u larguan. Pasi deputetët demokratë u siguruan se nuk do të ketë mbledhje fizike të “zgjedhores” ikën edhe ata.
Shumica socialiste, grupimi Gazmend Bardhi-Sali Berisha dhe të Lulzim Bashës ri-fajësuan njëri tjetrin për mosdashje me qëllim të funksionimit të “zgjedhores.
“Një pjesë e opozitës, ajo që quhet rithemelimi, po pengojnë ecurinë e reformës zgjedhore. Të dy opozitat që duhet të jenë të parat të interesuar për reformën zgjedhore nuk po bëhen aktive për ta çuar përpara këtë proces”, tha bashkëkryetari i PS për “zgjedhoren” Damian Gjiknuri.
“E drejta e vetos, është e drejta që mazhornaca mos të ndërrmarë ndonjë nismë për ta bërë në mënyrë të njëanshme refprmën zgjedhore, që mazhoranca të mos e përdorë atë, legjendën, çështjen e primit, zero shanc”, tha bashkëkryetari i PD për “zgjedhoren Enkelejd Alibeaj.
“Reforma zgjedhore pa konsensus nuk i duhet askujt. Pa konsensus i duhet vetëm Edi Ramës, askujt tjetër, asnjë force opozitare, asnjë shqiptari me parti apo pa parti”, tha deputeti Oerd Bylykbashi.
Duket se e sotmja ishte përpjekja e fundit që “zgjedhorja” të zhvillohej fizikisht. Mundësia e vetme është që diskutimet për ndryshimet e kërkuara në kodin elektoral nga OSBE-ODIHR dhe Gjykata Kushtetuese të zhvillohen online, por kjo do t’i takojë dakordësisë së dy bashkëkryetarëve, Damian Gjiknurit dhe Enkelejd Alibeaj./vizionplus.tv