Proteston kundër tij, Rama i kujton Berishës 21 janarin: Zjarr luftarak vdekjeprurës i pahetuar!

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Proteston kundër tij, Rama i kujton Berishës 21 janarin: Zjarr luftarak vdekjeprurës i pahetuar!

Kryeministri Edi Rama protestës së opozitës thirrur nga kundërshtari i tij politik, Sali Berisha ka zgjedhur t’i përgjigjet me akuza që datojnë kur ky i fundit ishte në pushtet. Në një postim në rrjete sociale, kryeministri apelon që drejtësia të zbardhë çështjen e 21 janarit. Mes rreshtave ai përmend dhe faktet e reja të bëra publike në media, sipas të cilin janë të mjaftueshme që drejtësia të bëjë punën e saj.

 

“A ka më ku të rrijë që teksa së fundmi, doli edhe një tjetër material, autentik, brutalisht rrënqethës, për vrasjen me paramendim dhe gjakakullsi kriminale, me pushkët e shtetit, të katër qytetarëve të pafajshëm, të paarmatosur, të parrezikshëm për askënd, vrasësit e tyre vazhdojnë jo vetëm të enden të lirë, po luajnë edhe role nga më të rëndësishmet në jetën e vendit?!

Hapjen e zjarrit me plumba luftarakë mbi një turmë, sistemi demokratik nuk e njeh si të drejtë të shtetit, po e konsideron krim të rëndë dhe në historinë e Europës së të paktën 100 vjetëve të fundit, përfshirë edhe Europën e Luftës së Ftohtë, Shqipëria demokratike është i vetmi vend ku është hapur zjarr luftarak mbi turmë”, shkruan ai.

Advertisement

Rama shton se drejtësia nuk po ndëshkon askënd për këtë krim të rëndë, pasi ngjarja ka kaluar si një proces farsë.

 

“Zjarr luftarak vdekjeprurës i pahetuar, i pagjykuar dhe sigurisht i pandëshkuar prej 12 vjetësh! Një proces farsë mbi këtë krim shtetëror të paparë e të padëgjuar në historinë e Europës, anashkaloi totalisht të vërtetën ulëritëse të një vrasjeje me paramendim, madje të paralajmëruar e të paspranuar me arrogancën më poshtëruese nga urdhëruesit”, shton Rama.

 

Advertisement

Vrasjet pa autor të 21 janarit sipas Ramës janë dhe arsyeja e zhgënjimit të qytetarëve nga reforma në drejtësi.

 

“Drejtësia e vjetër, e kalbur dhe e nënshtruar, rivrau katër të vrarët, shkeli egërsisht mbi plagët e familjeve të tyre, përdhunoi pashpirtësisht jetimët e katër baballarëve, duke u mohuar barazinë para ligjit dhe duke u dhënë shqiptarëve mesazhin më të hidhur, e më dekurajues të mundshëm për drejtësinë e pabarabartë në atdheun e tyre.

Drejtësia e re, me institucionin e saj kyç, të krijuar enkas nga një vullnet i fortë popullor e politik, kombëtar e ndërkombëtar, për hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë, e cila duhet ta kishte nisur jetën e vet bash tek ky gur i përgjakur i themeleve të shembura të barazisë para ligjit të këtij vendi, jo vetëm nuk u kthye tek vendi i këtij krimi me pasoja tmerrsisht deformuese, të thella e afatgjata, për kulturën politike e demokratike të Shqipërisë, po bëri sikur s’kishte asnjë lidhje me të, pavarësisht se një prej motiveve më të forta të mbështetjes masive popullore të reformës në drejtësi (prej ku lindi edhe vetë SPAK-u si mishërim i një shprese të madhe) ishte pikërisht nevoja kombëtare për drejtësi për 21 janarin. Ky është sot edhe një nga motivet kryesore të zhgënjimit popullor nga reforma në drejtësi dhe kush i mohon apo i ve në diskutim, si të parën edhe të dytën, nuk e kupton ose nuk do që ta kuptojë thelbin dhe konseguencat historike mbi shtetin e së drejtës, të veprimit apo mosveprimit të ilaçit të drejtësisë për plagën tragjike të 21 janarit”, shkruan kryeministri.

Advertisement

 

Megjithatë, kryeministri shprehet shpresëplotë se drejtësia e ‘instaluar’ pas ardhjes së tij në pushtet do munden ta zgjidh këtë çështje. Në të njëjtën kohë ai thekson se nuk është kurrë vonë që drejtësia të marrë një vendim.

 

“Lajmi i mirë gjithsesi është se për drejtësinë nuk është kurrë vonë. Dhe pavarësisht se krimi makabër i 21 janarit s’ka pasur nevojë për prova të reja, me provat e reja të javëve të fundit, e sidomos me audioregjistrimin tronditës të publikuar ditët e fundit, moskthimi pa humbur më kohë i drejtësisë së re në vendin e krimit të 12 vjetëve më parë, do të ishte konfirmimi dramatik i nënshtrimit të saj ndaj inercisë së neveritshme të drejtësisë së vjetër. Dhëntë Zoti jo”, përfundon Rama.

Advertisement

 

Nga ana tjetër ish-kryeministri, Sali Berisha ka ftuar të gjithë qytetarët t’i bashkohen në protestën kundër kryesocialistit Rama me argumentin se është i përfshirë në aferën korruptive “McGonigal”.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy