Rama: Spitali i ri Infektiv, qendër ekselence për sëmundjet infektive

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Rama: Spitali i ri Infektiv, qendër ekselence për sëmundjet infektive

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Spitalin Infektiv në QSUT, ku po investohet për rehabilitimin dhe zgjerimin e tij me kushtet e standardet më të mira të infrastrukturës.

 

I shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, Kryeministri Rama pa nga afër këtë kantier ndërtimi që sipas tij, “përmbush planin e përgjigjes për emergjencat shëndetësore dhe transformimin e këtij spitali në një strukturë të ekselencës për sëmundjet infektive”.

 

Advertisement

“Rëndësi ka që tani janë të mbyllura projektet dhe financimet. Duhet vetëm të shikojmë atë rrugën e re që ndan korpusin nga lagjja, që të jetë i gjithë i mbyllur, me gjithë sistemin e sigurisë dhe lëvizshmërisë së garantuar. Besoj se nuk do të ketë më gjëra të reja për të bërë, por vetëm mirëmbajtje e rritje të kapaciteteve që nuk mbarojnë kurrë”, tha Rama.

 

Kryeministri theksoi se duhet të bëhet edhe ndërhyrja te Fakulteti i Mjekësisë, që është realisht problem.

 

Advertisement

Ndërkohë, ai u shpreh se nga 1 korriku do të rrisim edhe rrogat.

 

“Duam ta rrisim pagën deri në 40% dhe besoj se duhet ta bëjmë, duhet që edhe rrogat të shkojnë paralelisht me investimet”, tha ai.

 

Advertisement

Manastirliu informoi se investimi në Spitalin Infektiv, për ta kthyer atë në një qendër reference për sëmundjet infektive, ka nisur që në muajin mars.

 

“Është një investim prej 5.6 milionë euro që parashikon jo vetëm rehabilitimin e spitalit, por edhe një shtesë për të zgjeruar kapacitetet pritëse, sidomos për terapinë intensive. Projekti parashikon një rinovim tërësor të ambienteve por edhe rikompozim të tyre. Do të kemi 118 shtretër në këtë spital, si dhe do të dyfishohen kapacitetet e terapisë intensive, nga 4 në 8 shtretër”, shtoi ajo.

 

Advertisement

Po ashtu, Ministrja u shpreh se një organizim do të ketë edhe për sa i përket urgjencës së spitalit me imazheri të dedikuar dhe gjithë strukturat e pavioneve, ku do të kemi dhoma me presion negativ, që është shumë i nevojshëm për të trajtuar pacientët me sëmundje infektive.

 

“Dhomat janë me tualete brenda dhe paradhomë. Në fund të korrikut ne përfundojmë në këtë spital, ndërkohë që do të ketë edhe rikualifikim për të gjithë zonën përreth”, tha Manastirliu.

 

Advertisement

Ministrja theksoi se “në QSUT jemi në një kantier të hapur punimesh, sepse vijojmë punimet në spitalin e Sëmundjeve të Brendshme, do të hapim shumë shpejt fazën e dytë të Pediatrisë dhe me miratimin në parlament të kredisë së BB-së do të kemi edhe rehabilitimin në spitalin e Kardiokirurgjisë për të përfunduar gjithë Korpusin Universitar “Nënë Tereza”.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy