
Seanca paraprake për dosjen e ish-Presidentit të vendit Ilir Meta është shtyrë.
Gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj mëson se seanca e radhës do të mbahet më 11nëntor, ndërsa shkak për shtyrjen u bë mungesa e avokatit të Monika Kryemadhit.
Vetë Kryemadhi ishte e pranishme në GJKKO. Për mediat, ish-deputetja akuzoi SPAK se vazhdon të shantazojë Ilir Metën dhe familjen e saj me hetimet që po vazhdon edhe pse dosjen e ka kaluar për gjykim. Ajo shënjestroi Altin Dumanin duke e cilësuar si ushtar të Yuri Kim, ish-ambasadores së SHBA.
“Vazhdon hetimi, nëse dosja hetimore do të ishte mbyllur në 27 korrik, Prokuroria vazhdon e heton, thërret dëshmitarë dhe hetimi për Metën, Kryemadhin, mamanë time etj vazhdon. Dmth se jemi në hetim paraprak dhe arsyeja për të cilën është hetuar në mënyrë të tillë është për të mbajtur Metën në burg, mua dhe familjarët nën presion. Ata që duan ta bëjnë janë ushtarë të bindur të Yuri Kim, edhe pse është në largim e sipër.”, tha Kryemadhi.
SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Ndërsa Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun./vizionplus.tv