Veliaj pret senatorët dhe deputetët italianë, Tasso: “Tirana, qytet për t’u marrë shembull”

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Veliaj pret senatorët dhe deputetët italianë, Tasso: “Tirana, qytet për t’u marrë shembull”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim të posaçëm një delegacion nga Italia, në përbërje të të cilit ishin senatorë dhe deputetë të parlamentit italian, të kryesuar nga Antonio Tasso. Veliaj dhe miqtë italianë vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe diskutuan mbi mundësitë e reja për t’i çuar më tej këto raporte.

 

“Jam shumë krenar për çfarë kemi arritur, jo vetëm mes shteteve, por edhe mes qyteteve tona. Raportet mes Italisë dhe Shqipërisë janë në nivelin më të mirë të mundshëm. Italia i ka mikpritur shqiptarët, i ka trajtuar me dashuri dhe respekt, dhe sot shqiptarët janë histori suksesi atje. Mezi pres që ta çojmë më lart këtë raport. Italia ka zgjedhje në shtator dhe mezi e presim konfigurimin e ri të qeverisë dhe të zgjedhurve të saj në dhomën e deputetëve, po ashtu edhe në senat, që t’i vazhdojmë marrëdhëniet e mira”, tha Veliaj.

 

Advertisement

Deputeti Antonio Tasso u shpreh se Tirana është një qytet, i cili duhet marrë si shembull për këdo që kërkon zhvillimin.

 

“Tirana është një qytet i mrekullueshëm. Vumë re përmirësime të dukshme nga herët e tjera që kemi qenë këtu. Është një qytet i cili duhet marrë si shembull, për këdo që kërkon zhvillimin. Keni ecur përpara me shpejtësi dhe e keni bërë shumë mirë. Shpresojmë të rishihemi në të ardhmen dhe të forcojmë edhe më tej lidhjet mes vendeve dhe qyteteve tona”, theksoi Tasso.

 

Advertisement

Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se Tirana është një qytet i transformuar falë edhe arkitektëve më të njohur italianë.

 

“Sot kemi një Tiranë të transformuar edhe falë arkitektëve italianë, atyre mendjeve brilante që punojnë me më shumë shpejtësi dhe efikasitet se me burokracinë e vendit fqinj. Mezi pres që raportin me Italinë, ku sot jemi 35% të shkëmbimeve e tregtare, t’i thellojmë më shumë”, deklaroi ai.

 

Advertisement

Ndërkaq, Tirana dhe Rajoni i Puglias do të kenë dhe një sërë aktivitetesh të rëndësishme në kuadër të Kryeqytetit Europian të Rinisë dhe të Lojërave Mesdhetare.

 

“Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë, kurse Taranto do të jetë Kryeqyteti i Sportit për Lojërat Mesdhetare të vitit 2026. Pra, do të kemi një seri aktivitetesh që do të vazhdojnë, sidomos me këto çmime speciale që ka si Tirana, si qytetet e tjera të Puglias, ku duam të kemi këtë raport të veçantë. Sot me linjat ajrore, kur është bërë shumë e lehtë të fluturosh, duam të inkurajojmë gjithmonë të rinjtë që të lidhen me njëri-tjetrin”, deklaroi Veliaj.

 

Advertisement

Shumë italianë kanë zgjedhur Tiranën për të studiuar, jetuar dhe për të vijuar punën duke hapur disa sipërmarrje të reja.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy