Duket se këngëtarja shqiptare me famë botërore, do t’i bashkohet aktorëve si Margot Robbie dhe Ryan Gosling në filmin e shumëpritur me titull “Barbie” i cili pritet të dalë në korrik të këtij viti. Në film do të shohim historinë e kukullës ikonike bionde e cila ka bërë për vete tërë botën që nga lançimi i parë i lodrave për fëmijë në vitin 1959. Pavarësisht sa kohë kalon, Barbi vazhdon të jetë një ndër figurat me të cilat vajzat janë rritur duke pasur një ndikim në standardet e bukurisë, stilin dhe mënyrën sesi shohin veten.
Ditën e djeshme në platformat “Instagram” dhe “Twitter” u publikua lista me emrat e aktorëve pjesëmarrës dhe krahas Dua Lipës, Margot Robbie-t dhe Ryan Gosling do të shohim Will Ferrell, Issa Rae, America Ferrera, Helen Mirren dhe Michael Cera ndër të tjerë.
Edhe rincesha e popit ndau me fansat ditën e djeshme një postim në rrjetet e saj sociale ku ajo dukej si një sirenë me flokë blu dhe shkroi: “Barbi im është një sirenë blu.”
Nuk e dimë ende, shkallën e përfshirjes së Duas në këtë projekt, përveç faktit se ajo ka regjistruar një pjesë të këngëve që do të bëhen pjesë e filmit. Deri tani, qasja e regjisores Greta Gerwig për “Barbie-n” është satirik ndaj mezi presim të shohim mënyrën sesi ky personazh së bashku me të dashurin e saj Ken do të interpretohen nga yjet. Ne i urojmë Duas fat në këtë iniciativë të re që ka ndërmarrë në karrierë dhe urojmë ta shohim së shpejti edhe në filma të tjerë hollivudianë./Living/