Teknologjia digjitale shpalos të fshehtat e dinozaurit të parë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Dinozauri më i hershëm në Britaninë e Madhe ka qenë një gjithëgrënës i shkathët, i cili ka ecur me dy këmbë, për dallim nga të tjerët – brontosaurus dhe diplodokus, ka treguar të hënën një studim i ri.

Me peshën e përafërt të një fëmije 10-vjeçar dhe me gjatësi 1.5 metra, e me një bisht të hollë të gjatë, Thecodontosaurus antiquus ka bredhur në Tokë gjatë periudhës triazike, më shumë se 205 milionë vjet më parë, kur Britania ka qenë vend me shumë ishuj që rrethoheshin nga detet e ëmbla. Përpos se është një nga dinozaurët e parë, ai ka qenë gjithashtu edhe në mesin e të parëve të këtij lloji që kanë arritur të zbulohen.

Mbetjet e tij ishin zbuluar nga punëtorët e gurores së Bristolit më 1834, duke e fituar nofkën “dinozauri i Bristolit”.

Thecodontosaurusi konsiderohet si specie ndërkombëtarisht e rëndësishme, për shkak se siguron një lidhje evolucionare mes dinozaurëve të parë, të cilët mendohet se kanë pasur madhësi të ngjashme me macen, mishngrënës dykëmbësh dhe sauropodët kolosalë bimëngrënës që kanë ecur në katër këmbë të trasha si shtylla, kanë pasur qafë dhe bishta të gjatë dhe koka të vogla.

Advertisement

“Vendi i tij brenda trungut të familjes së dinozaurëve është shumë i rëndësishëm, për shkak se do të mund të na ndihmonte që ta kuptonim evoluimin e këtyre gjigandëve dhe se si janë bërë aq të mëdhenj”, ka thënë Antonio Ballell, student në doktoratë, në Universitetin e Bristolit, i cili e ka udhëhequr studimin.

Se çfarë ka ngrënë Thecodontosaurus dhe se si ka lëvizur ka kohë që kanë qenë tema diskutimi, por tani, me anë të një rindërtimi të trurit të tij, sugjerohet se ka gjasa se ai ka ngrënë mish dhe ka lëvizur drejt e në të dyja këmbët, sikurse edhe paraardhësit e tij, mbetjet e fosileve të të cilëve ishin zbuluar në Amerikën Jugore.

Ballell dhe kolegët e tij kanë përdorur tomografi të kompjuterizuar për ta nxjerrë në mënyrë digjitale kafkën e tij nga mbeturinat e shkëmbit dhe modelimin 3D për të ndërtuar një kopje të trurit dhe veshit të brendshëm të tij, duke përdorur dimensionet e kockave të mbetura.

Kësisoj doli se lobet flokluare të dinozaurit, të cilat ndodhen në pjesën e prapme të trurit dhe janë të lidhura me kontrollin e baraspeshës dhe me lëvizjet e syve dhe qafës ishin të mëdha. Kjo sugjeron se Thecodontosaurus ka mundur të ecte me dy këmbë dhe ka mbajtur një vështrim stabil përderisa ka lëvizur shpejt.

Advertisement

“Ka mundësi se ka pasur shkathtësi cerebrale për ta gjetur prenë dhe për ta kapur, edhe pse morfologjia e dhëmbëve të tij sugjeron se bimët kanë qenë pjesa kryesore e ushqimit të tij”, ka thënë Ballell. “Mendojmë se ishujt se ku ata kanë jetuar kanë qenë shumë të pasur me zvarranikë, gjitarë të vegjël, insekte dhe artopodë të tjerë, kështu që këta kanë mundur të jenë shtesa shumë të mira ushqimore”.

Forma e veshëve të brendshëm sugjeron se frekuenca e dëgjueshmërisë së kësaj qenieje ishte relativisht e lartë, duke vënë në pah një lloj ndërlikueshmërie sociale – një aftësi për t’i dalluar piskamat e kafshëve të ndryshme. Studimi ishte publikuar në Gazetën Zoologjike të Shoqërisë Linneane.

“Është emocionuese të shohësh se teknologjitë e reja janë zbatuar te disa nga eshtrat më të vjetër të dinozaurëve nga Mbretëria e Bashkuar”, ka thënë Steve Brusatte, profesor i paleontologjisë dhe evolucionit në Universitetin e Edinburgut. “Thecodontosaurus me gjasë ka qenë më gjithëngrënës sesa që kemi menduar dhe duket se ka pasur baraspeshë të shkëlqyer, ka mundur të vraponte shpejt dhe ka mundur të lëvizte vetëm me gjymtyrët e pasme. Për çudi, ky është lloj i krijesës së vogël e të shkathët, nga e cila kanë evoluar dinozaurët qafëgjatë si Brontosaurus dhe Diplodocus.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy