
Gjiganti i njohur amerikan “Amazon” ka prezantuar një pajisje fluturuese që shërben si mjet sigurie për shtëpi. E ashtuquajtura “Ring” është krijuar që të aktivizohet vetëm atëherë kur të zotët ndodhen larg shtëpive të tyre.
Kjo pajisje funksionon edhe në ambiente të hapura, mirëpo deri më tani është e kufizuar vetëm në kontrollin e një kati të ndërtesës. Së bashku me këtë dron është prezantuar edhe shërbimi i lojërave kompjuterike, mirëpo pajisja e sigurimit të shtëpisë ka marrë vëmendjen kryesore në prezantimin e “Amazon”-it.
“Është e vështirë të mendohet përse ‘Amazon’-i dëshiron që të gjithë të kenë kamera fluturuese me qëllim që të sigurohen shtëpitë”, ka thënë Silkie Carlo nga “Big Brother Watch”. “Gjithashtu është e rëndësishme të dimë për ndikimin që kanë pajisjet e ‘Amazon’-it në komunitet dhe në tregun e sigurisë”, ka shtuar Carlo.
Kur ndizet kamera e quajtur “Always Home Cam”, i zoti i shtëpisë alarmohet në rast se dikush është futur në pronën e tij. Përmes një aplikacioni, kamera fluturuese mund të drejtohet nga distanca dhe mund të kontrollojë katin e shtëpisë, transmeton KOHA shkrimin e BBC.
“Amazon”-i ka bërë të ditur se privatësinë e kishte ndërmend kur dizajnoi pajisjen fluturuese.
“Kamera raporton vetëm kur është në lëvizje dhe kur është në vendin e saj nuk mund të raportojë për pronarin”, ka thënë Leila Rouhi, shefe e sektorit “Ring” në “Amazon”. “Ajo është e dizajnuar që të jetë e zhurmshme dhe përdoruesit mund ta dëgjojnë privatësinë e tyre”, ka shtuar ajo.
Pajisja pritet të kushtojë 250 dollarë, ndërkaq gjatë prezantimit të saj është thënë se do të jetë vetëm për tregun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“’Always Home Cam’ është pajisje ambicioze që e shohim vetëm në filma”, ka thënë Ben Wood nga “CCS Insight”.
“Pres që të marrë vëmendje nga entuziastët e teknologjisë që zakonisht janë njerëzit që përqafojnë të parët teknologjinë e shtëpisë. Sidoqoftë, do të ngjallë debat të madh për privatësinë dhe rolin e ardhshëm të teknologjisë në shtëpitë tona”, ka shtuar ai.
Divizioni “The Ring” i “Amazon”-it ka prezantuar gjithashtu kamerën e sigurisë, e cila është e dizajnuar për automjete. Kjo kamerë monitoron aktivitetin që zhvillohet afër automjetit, kur ajo është e parkuar. Kamera mund të incizojë kur shoferi nxirret dhunshëm nga vetura, potencialisht mund të incizojë edhe komunikimin me policinë.