ANALIZA: A po e humb BE-ja Ballkanin Perëndimor?

Pinterest LinkedIn Tumblr +
ANALIZA: A po e humb BE-ja Ballkanin Perëndimor?

Nga Nikolla Gjorgjevic “Emerging Europe”

Një samit “urgjent” BE-Ballkani Perëndimor, i thirrur nga Sllovenia javën e kaluar, vend që aktualisht mban presidencën e radhës së Këshillit të Bashkimit Evropian, dështoi Që t’u ofrojë 6 vendeve të rajonit ndonjë lloj udhërrëfyesi drejt anëtarësimit në BE.

Ndërsa disa zyrtarë të BE-së ishin të prirur të theksonin se zgjerimi mbetet në axhendën e saj. “Ballkani Perëndimor, është pjesë e së njëjtës Evropë me Bashkimin Evropian. BE-ja nuk është e plotë pa to”-tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Por të tjerët ishin më pak optimistë.

E them me sinqeritet:midis 27 vendeve anëtare ka diskutime dhe mosmarrëveshje mbi kapacitetin tonë për të pranuar anëtarë të rinj”-u shpreh Sharl Mishel, president i Këshillit Evropian. Në fakt, pasi përfundoi samiti në mbrëmjen e 6 tetorit, shumë njerëz në Ballkanin Perëndimor nisën të ndiejnë se vendet e rajonit jo vetëm që nuk janë më pranë anëtarësimit në BE, përkundrazi ato janë më larg se kurrë.

Advertisement

Është më se e qartë se procesit i anëtarësimit nuk po ecën përpara”– thotë Erik Gordi, profesor në Shkollën e Studimeve Sllave dhe Evropës Lindore (SSEES) në Universitetin e Kalifornisë.“Për shkak se shtetet e Ballkanit Perëndimor, nuk po i përmbushin dot kriteret e anëtarësimit – veçanërisht në lidhje me sundimin e ligjit, mediat, gjyqësorin dhe politikën e jashtme dhe të sigurisë – por edhe sepse ka një mungesë gatishmërie nga ana e BE-së për të pranuar anëtarë të rinj. Deklaratat kontradiktore që pasuan samitin, tregojnë gjithashtu se Bashkimit Evropian nuk ka një pozicion të unifikuar dhe të qëndrueshëm”- shton ai.

Përpara samitit, Sllovenia sugjeroi që të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të pranohen në BE deri në vitin 2030. Por kjo ide gjeti pak mbështetje midis anëtarëve të tjerë të BE-së.“Unë personalisht nuk mendoj se ishte e gabuar këmbëngulja për të pasur një afat konkret.

Koha është malli më i shtrenjtë, dhe qytetarët e Ballkanit janë të përfshirë në këtë proces, një proces që po i ndryshon në thelb këto shoqëri, veçanërisht në dy dekadat e fundit”-thotë Marko Savkoviç, drejtor ekzekutiv i Fondit të Beogradit për Përsosmëri Politike.

Asnjë premtim, vetëm “inkurajim”

Advertisement

Për disa kohë, vitit 2025 u pa si një datë e mundshme, kur të paktën disa vende të Ballkanit Perëndimor, dhe sidomos Serbia, mund t’i bashkoheshin BE-së. Por në vitin 2018, Zhan-Klod Junker, president i atëhershëm i Komisionit Evropian, e bëri të qartë se ky nuk kishte qenë kurrë një premtim, por një “inkurajim” për vendet kandidate.

Që nga ajo kohë për shumë anëtarë të BE-së, çështja e zgjerimit është bërë shumë më e ndjeshme politikisht.“Dhe për të qenë i sinqertë, ne nuk e kemi ndihmuar veten. Politikanët tanë paraqesin vizionin e një rajoni në mosmarrëveshje të vazhdueshme,vetëm disa hapa larg konfliktit të ripërtërirë. Ata janë mbi të gjitha të interesuar në “kapjen e shtetit”-thekson Savkoviç.

Për shembull, qeveritë e Francës apo Gjermanisë, nuk janë të gatshme që të na japin një datë konkrete për anëtarësimin, pasi kjo do t’i jepte argumente të forta opozitës në ato vende”- shton ai. Por a sjell dështimi për t’i ofruar shteteve të Ballkanit Perëndimor ndonjë lloj shprese të mirëfilltë, shkatërrimin e besueshmërisë së BE-së në rajon?

Advertisement

Savkovic mendon se BE po vuan prej disa vitesh nga një “krizë besueshmërie”, dhe kjo qëkur u bë e qartë se “premtimi” i Junker për anëtarësim deri në vitin 2025 nuk ishte i tillë për të tjerët. Zijad Beçiroviç i qendrës së studimit me qendër në Lubjanë, IFIMES, pajtohet me idenë se besueshmëria e BE-së është dobësuar ndjeshëm në rajon.

Konfirmimi i kësaj është bllokimi nga Bullgaria i bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut, por edhe dështimi për të hapur ndonjë kapitull të ri negociues me Serbinë”- thotë ai.

Në këtë moment,shumë vende të BE-së nuk do të plotësonin kushtet që po u imponohen vendeve të Ballkanit Perëndimor. Besueshmëria është zbehur edhe për shkak të mënyrës

Advertisement

se si është zhvilluar dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit”– nënvizon eksperti boshnjak.

Një e ardhme jashtë BE-së

Erik Gordi nga SSEES thotë se disa faktorë e ndryshuan qëndrimin e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor nga fillimi i viteve 2000 dhe deri më sot. Vokacioni i saj ndaj vlerave demokratike, është gërryer nga toleranca që ka treguar Brukseli ndaj autoritarizmit dhe ekstremizmit të krahut të djathtë.

Krizat i kanë zbehur premtimet e saj ekonomike, ndërsa trajtimi i vendeve të Evropës Juglindore, si Rumania dhe Bullgaria kur është fjala për çështjen e emigracionit, ka lënë një “shije hidhur të keqpërdorimit”.

Advertisement

BE-ja nuk ka më monopolin e besnikërisë ndaj saj të shteteve jo-anëtare, pasi në skenë janë shfaqur konkurrentë të rinj. Kjo e kombinuar me perspektivat e zvogëluara të arritjes reale të anëtarësimit, i kanë dhënë më shumë nxitje elitave politike që të parashikojnë një të ardhme jashtë BE-së, edhe pse jo domosdoshmërisht si pjesë e një blloku tjetër”-deklaron Gordio.

Ndërkohë për Savkoviç, nuk ka asnjë dyshim se të paktën në aspektin ekonomik, vendet e Ballkanit Perëndimor do të qëndrojnë pranë BE -së. Aty ku blloku po humbet tashmë kontrollin e tij janë vlerat mbi të cilat është themeluar.“Sondazhet e përsëritura të opinionit publik, e tregojnë këtë si një prirje gjatë 5 viteve të fundit.

Ata që e kuptojnë si duhet konceptin e fuqisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, e dinë se Kina dhe Rusia duket se janë në rritje, teksa BE-ja dhe Perëndimi në tërësi janë duke u tërhequr.“BE-ja nuk është aspak e aftë në komunikimin, apo“shitjen e produktit” të saj, pasi varet nga bashkëpunimi i vendit kandidat. Dhe ka humbur shumë terren në rajon, pasi zakonisht i duhet shumë kohë për të reaguar”- përfundon ai.(CNA.al)

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy