Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku priti në një takim tejet miqësor, drejtorin e Programit të Asistencës për Antiterrorizmin në Shërbimin e Sigurisë Diplomatike, në Departamentin e Shtetit (ATA), Timothy Leeds, menaxherin e këtij programi James Doherty dhe shefen e re të Zyrës Rajonale të Sigurimit, Kathryn Hammond.
Drejtori i Përgjithshëm ka falënderuar drejtuesit e Programit “ATA” për mbështetjen e deritanishme, si dhe për angazhimin e mëtejshëm për ta vazhduar këtë program, për të asistuar, trajnuar dhe për të mbështetur me bazë logjistike disa struktura shumë të rëndësishme të Policisë së Shtetit.
Gjatë takimit u diskutua mbi mënyrat se si ky program mund të vazhdojë të mbështetë zbatimin e ligjit në Shqipëri. Gjithashtu, zyrtarët amerikanë dhuruan pajisje shtesë për Policinë e Shtetit. Më tej, u vlerësua fakti se Policia e Shtetit është partnere e besueshme dhe e rëndësishme për SHBA-në, si dhe e gatshme për të marrë pjesë në hetime dhe në operacione të përbashkëta në të gjitha fushat me rëndësi për sigurinë publike, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Gjatë vizitës së tyre, zyrtarët amerikanë u takuan dhe me drejtorin e Drejtorisë së Antiterrorit, Alban Dautaj, për të vizituar ambientet e kësaj drejtorie, si dhe për të diskutuar se si kurset e mëparshme të trajnimit, kanë përfituar nga operacionet kundër terrorizmit në Shqipëri. Vizita nxorri në pah bashkëpunimin shumë të mirë ndërmjet Zyrës së Sigurisë Rajonale të Ambasadës Amerikane dhe Policisë së Shtetit.
Që nga viti 2016, Programi i Asistencës, në shërbimin e Sigurisë Diplomatike, nëpërmjet Zyrës Rajonale të Sigurisë, në Ambasadë, ka dhuruar miliona dollarë pajisje dhe ka ofruar trajnime të shumta, për Policinë e Shtetit, për të përmirësuar kapacitetet e saj në fushat e antiterrorizmit, krimit kibernetik dhe mjekësisë ligjore dixhitale.