Meta uron besimtarët katolikë për Pashkën: Duhet shpresë që shqiponjat të qëndrojnë në folenë e tyre

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Meta uron besimtarët katolikë për Pashkën: Duhet shpresë që shqiponjat të qëndrojnë në folenë e tyre

Presidenti Ilir Meta uroi besimtarët katolikë për Pashkën. Përmes një postimi në “Facebook”, Meta kujtoi ditët e vështira ku jetojmë për shkak të pandemisë dhe u lut për shërimin e atyre që janë të infektuar.

 

“Të dashur besimtarë katolikë e ungjillorë, motra e vëllezër shqiptarë kudo ndodheni: GËZUAR NGA MOT PASHKËN! Pandemia, për të dytin vit, na detyron të kremtojmë larg njëri-tjetrit fizikisht, por shumë më afër shpirtërisht, këtë festë të shenjtë dhe frymëzuese, që lajmëron triumfin e jetës mbi vdekjen, të së mirës mbi të keqen, të dritës dhe të shpresës mbi errësirën dhe dëshpërimin, të së drejtës dhe të vërtetës mbi padrejtësinë dhe gënjeshtrën, të humanizmit e dhembshurisë mbi babëzinë dhe arrogancën. Me besimin në Zot dhe në solidaritet me njëri-tjetrin kemi gjetur forcën dhe kurajën për të kapërcyer sprova të panumërta në këto kohë të vështira. Jemi përpjekur të jemi më bashkëpunues për të ndërtuar një të nesërme më të mirë, më të paqtë e të begatë për njerëzit në nevojë dhe për të ardhmen e sigurt të popullit dhe të Shqipërisë tonë. Duke ju bashkuar lutjeve Tuaja për shërim sa më të shpejtë të të afërmve të prekur nga pandemia, kemi ende nevojë të tregojmë më shumë vëmendje veçanërisht ndaj shtresave në nevojë, të pamundurve e të sëmurëve, fëmijëve dhe të moshuarve, të cilët meritojnë më shumë mbështetje, ndihmë konkrete, përkrahje dhe dashuri më të madhe prej nesh.”

 

Advertisement

Më tutje, kreu i shtetit tha se rikthimi i shpresës do të rikthejë edhe shqiptarët në vendin e tyre. Ilir Meta ka bindjen se ditët në vijim do të jenë më të mira.

 

“Vendi ka nevojë për shpresë, që shqiponjat të kthehen dhe të qëndrojnë në folenë e tyre, ku të jetojnë të qetë dhe të ndërtojnë të ardhmen e sigurt, siç na porositi Papa Françesku gjatë vizitës së Tij historike në Tiranë. Drita, që lind sot jam i bindur se do të ndezë edhe më shumë shpresën dhe kurajën në zemrën dhe mendjen e çdo shqiptari, për të mposhtur me besim në Zot të keqen, kudo ndodhet dhe në çdo formë që shfaqet. Ditë më të mira na presin dhe do të vijnë patjetër! Mbarësia, paqja, begatia dhe lumturia mbizotëroftë tek çdo familje!”

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy