
Banka e Shqipërisë shpjegoi vendimin e këshillit mbikëqyrës i cili një javë më parë rriti normën bazë të interesit të lekut, duke çuar atë në 3.25 %. Ndonëse ka një tendencë rënëse të inflacionit, I cili arriti në muajin tetor në 3.8%, banka sqaron se presionet janë ende të larta, aq më tepër kur paga dhe fitimet e biznesit po rriten.
“Rritja e normës bazë të interesit nga këshilli mbikëqyrës u vlerësua si e nevojshme, për të arritur qëllimin e kthimit të inflacionit në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2024. Arsyeja pse u mor ky vendim ishte sepse kërkesa për mallra dhe shërbime mbetet relativisht e fortë dhe e qëndrueshme, kjo kërkesë është burim për presione inflacioniste. Kjo kërkesë e lartë po shoqërohet paralel me rritje të shpejtë të pagave dhe fitime nga ana e bizneseve. Pra për ne ishte e domosdoshme”, – sqaroi Erald Themeli drejtor i politikës monetare në BSH.
Por Banka e Shqipërisë argumenton se vendimet e saj kanë patur efekt pozitive në kontrollin e inflacionit, ndërsa kreditë mbeten edhe më të lira, se ato në euro.
“Normalizimi i politikës monetare ka qenë një hap I duhur. Ka patur efekte pozitive. Ky normalizim ka kontrolluar inflacionin dhe ka mundësuar trendin rënës të tij. Paralelisht kemi patur ecuri të qetë të tregjeve financiare. Rritja e normës së lekut ka qenë më e ngadaltë se vendimet e partnerëve tanë europiane. Kjo veçanti ka bërë që çmimi kredisë në lekë është I barabartë apo më I ulët se ai në euro”, -sqaroi më tej Themeli.
Teksa konflikti në Lindjen e Mesme ka shtuar pasiguritë në tregje, rreziku I inflacionit mbetet ende prezent dhe sinjalet që ka dhënë banka e Shqipërisë për të mbajtur çmimet në kontroll është se do të ketë rritje të mëtejshme të kostos së parasë.