Rama mohon akuzat e emisionit “Report”, kryeministri në Rai 3 : S’mund të quash narkoshtet një vend që ka çelur negociatat

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Rama mohon akuzat e emisionit “Report”, kryeministri në Rai 3 : S’mund të quash narkoshtet një vend që ka çelur negociatat

Pas përplasjeve në distancë për pjesën e parë të investigimit për kampet e refugjatëve që do të ngrihen në Gjadër e Shëngjin, kryeministri Edi Rama mohoi në një intervistë të gjatë për televizionin italian “Rai 3” lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar.

“Po ç’narkoshtet?! Të quash narkoshtet një vend që ka çelur negociatat me Bashkimin Europian, për t’u anëtarësuar në BE… Të çelësh bisedimet me Bashkimin Europian nuk është njësoj si të hapësh programe televizive dhe të mbledhësh bashkë pikëpamje të përafërta, por ka të bëjë me kryerjen e disa detyrave shtëpie që janë tepër të monitoruara, fakt për fakt. Po, e di, personazhet që zgjodhët të ftonit pa të drejtë replike në atë program e mendojnë kështu, por janë të gjithë personazhe që kanë probleme me drejtësinë. Që ka një faktor të mafies shqiptare në territorin e mafies, nuk diskutohet. Që ka sigurisht një luftë kundër krimit të organizuar në Shqipëri ka, sepse ata janë nuk është se nuk janë dhe po luftojmë me mullinjtë e erës. Po, që të thuash se kontrollon ekonominë shqiptare, është… Politikë të ndotur nga mafia në Shqipëri, jua them sinqerisht, që nuk e shoh. Nuk e shoh. Fuqi për t’u  imponuar, fuqi për të devijuar vendime të rëndësishme, fuqi për të kontrolluar pjesë të asaj ekonomie që administron shteti, unë nuk e shoh”, tha Rama.

Kryeministri hodhi poshtë edhe pretendimet e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, që gjatë një interviste të dhënë nga arratia për “Rai 3”, e implikonte Ramën me kanabizimin e vendit dhe e akuzonte për takime me shefat e organizatave kriminale në Kryeministri.

“Nuk di me kë keni folur, po unë nuk do iu besoja shumë atyre që flasin pasi nuk ua ngroh më të ndenjurat karrigia e pushtetit. Kështu e mendoj unë. Nuk janë njerëz që duhen marrë seriozisht, por vetëm mund të mëshirohen. Duhet të jetë një burim tërësisht i ndotur dhe duhet të ketë probleme me drejtësinë. Kemi një thënie ne në Shqipëri, “pyll pa derra nuk ka”, shtoi kryeministri.

Advertisement

Edi Rama i doli në mbrojtje edhe Engjëll Agaçit, duke akuzuar median italiane se duke vënë në pah se ai ishte avokat i eksponentëve të botës së krimit, kishte si qëllim të provonte Giorgia Meloni bëri një marrëveshje të gabuar me një qeveri plot hije.

“Është metoda për të krijuar pasiguri dhe për të hedhur dyshime për persona që janë vënë në skenarin tuaj. Po ç’lidhje ka kjo. Ç’hyn kjo këtu. Ju flisni… Po ç’hyn Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, figura institucionale numër një e vendit. Atëherë, nëse bëhet një marrëveshje ndërkombëtare, në këtë rast si marrëveshja me Italinë, Sekretari i Përgjithshëm bën pjesë në grupin e punës për marrëveshjen. Pra, ç’hyn fakti që deri 10 vjet më parë, 11 vjet tanimë, ai kishte shkuar në Itali, si të gjithë shqiptarët që shkuan atje, në kërkim të një të ardhmeje. Bën shkollën në Itali për drejtësi, nis një praktikë avokatie në Itali, që ishte diçka e pabesueshme asokohe për një shqiptar”, deklaroi Rama.

Në mbrojtje të Ramës doli kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila gjatë një aktiviteti në Romë tha se ai po sulmohet vetëm pse po ndihmon Italinë./vizionplus.tv

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy