Serbia mbron komandantët nga rastet e mizorive të luftës në Kosovë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Njëzet e një vjet pas një masakre nga ushtarët e Ushtrisë Jugosllave në Kosovë, gjyqi i autorëve të dyshuar është ende duke vazhduar dhe një gjykatë serbe ka vendosur që komandantët e lartë nuk mund të mbahen ligjërisht përgjegjës për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Ishte mëngjesi i 14 majit 1999 kur forcat serbe rrethuan Rexhë Kelmendin, vëllanë e tij Demën dhe disa të afërm dhe fqinjë të tjerë në një shtëpi në fshatin e banuar me shqiptarë të Qyshkut.

Në atë kohë, fshati, afër qytetit të Pejës në veriperëndim të Kosovës, ishte ende pjesë e Jugosllavisë dhe lufta po zhvillohej midis Ushtrisë Jugosllave dhe policisë serbe në njërën anë dhe guerileve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në anën tjetër.

NATO-ja kishte filluar sulme ajrore në përpjekje për ta detyruar Sllobodan Millosheviçin t’i jepe fund fushatës së tij shtypëse ndaj shqiptarëve të Kosovës, por si përgjigje, forcat e Millosheviçit e shtuan ofensivën e tyre në fshatrat përreth, duke dëbuar dhe vrarë shqiptarë etnikë, duke plaçkitur pronat e tyre dhe duke i djegur ato.

Advertisement

Kelmendi dhe fshatarët e tjerë u mbajtën robër në shtëpi me duart pas kokës për më shumë se një orë. Kur polici serb e urdhëroi atë që të merrte disa shkrepëse dhe t’i vinte flakën shtëpisë me robërit brenda, Kelmendi e shfrytëzoi rastin meqë ishte afër dritares për të dalë dhe t’u larguar drejt pyllit aty afër.

Të tjerët u vranë dhe trupat e tyre u dogjën. Në total, atë ditë në Qyshk u vranë 44 njerëz.

Që atëherë, Kelmendi tha se ai dhe disa të mbijetuar të tjerë kanë “pritur më kot për drejtësi”, duke shpresuar që vrasësit më në fund të dërgohen në burg.

Ai ka dëshmuar pesë herë në gjykatë në Beograd në çështjen kundër 11 ish-anëtarëve të Skuadrës së 177-të të Ndërhyrjes të Ushtrisë Jugosllave. Gjyqi filloi fillimisht në 2010, por pas më shumë se një dekade, ende nuk ka asnjë përfundim të tij.

Advertisement

Ndërprerjet dhe vonesat në gjyq kanë ngritur dyshime se kjo është pjesë e një modeli më të gjerë mohimi dhe pengimi që synon të mbulojë rolin e Serbisë në mizoritë kundër shqiptarëve të Kosovës në fund të viteve 1990.

Tani, në një zhvillim të ri të rëndësishëm, BIRN ka zbuluar se një vendim i fundit nga Gjykata Kushtetuese e Serbisë tregon se oficerët e rangut të lartë nuk do të ndiqen penalisht nga gjykatat serbe për pasjen e përgjegjësisë komanduese për krime si vrasjet në Qyshk që u kryen nga vartësit e tyre, ose për krime kundër njerëzimit.

“Ndjeva që ata s’do të ndëshkohen kurrë”

Në vitin 1999, Kelmendi fillimisht e tregoi historinë e asaj që ndodhi në Qyshk për grupin ndërkombëtar Human Rights Watch, i cili botoi një raport, “Fshati i Shkatërruar”, duke identifikuar njësitë dhe personelin jugosllav që ishin të pranishëm gjatë sulmit.

Advertisement

Investigimi i Human Rights Watch, i mbështetur nga zyra e prokurorit serb të krimeve të luftës, çoi në arrestimet e para dhe më shumë se një dekadë pas vrasjeve, gjyqi më në fund u hap në një gjykatë të Beogradit.

Por edhe në fillim të gjykimit, Kelmendi ishte i shqetësuar për rezultatin e mundshëm.

“Kur shkova për herë të parë në Beograd në 2012, atmosfera ishte e zymtë dhe ndjeva se ata nuk do të ndëshkoheshin kurrë. Gjatë gjykimit, pashë se si prokurorët dhe gjykatësit ndiheshin jo komod kur u drejtoheshin atyre që kryen krime”, tha ai.

Akuzat kundër 11 ushtarëve të Ushtrisë Jugosllave i akuzuan ata për kryerjen e krimeve të luftës gjatë sulmeve në katër fshatra të Kosovës përreth qytetit të Pejës – Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq – që shkaktoi vrasjen e të paktën 120 shqiptarë etnikë.

Advertisement

Shumë prej trupave të viktimave u gjetën më vonë në një varr masiv në lagjen Beograd të Batajnicës. Disa rezultojnë ende të zhdukur.

Një vendim i shkallës së parë i dhënë në vitin 2014 i shpalli fillimisht të pandehurit fajtorë, por një vit më vonë, gjykata e apelit e dërgoi çështjen për rigjykim.

OJQ-ja Fondi për të Drejtën Humanitare me qendër në Beograd, e cila përfaqësonte viktimat dhe monitoroi gjyqin, thotë se procedurat gjyqësore kanë qenë shumë të gjata.

“Gjyqi në këtë çështje ka vazhduar për më shumë se dhjetë vjet dhe nuk është e sigurt se kur do të përfundojë procedura”, tha për BIRN drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, Ivana Zanic.

Advertisement

“Në rigjykim, çdo vit zhvilloheshin zakonisht një numër i vogël seancash, kështu që në vitin 2016, u mbajtën vetëm pesë ditë gjyq, në 2017 gjashtë të tilla, në 2018 tre të tilla dhe në vitin 2019 gjithashtu tre ditë gjykimi, ndërsa në vitin 2020 u mbajt vetëm një ditë gjykimi”, shtoi ajo.

Gjatë dekadës së kaluar, ndërsa gjykimi po përparonte, prokuroria shpesh ngriti aktakuza të reja për të përfshirë autorë të rinj të dyshuar, gjë që solli një total prej shtatë aktakuzash të rishikuara. Më e fundit u paraqit pasi një i dyshuar i arratisur, Predrag Vukoviç, u arrestua në Malin e Zi në 2018.

Disa akuza u rrëzuan gjithashtu kundër të pandehurve që vdiqën ose kishin probleme shëndetësore. Një nga të pandehurit, Ranko Momiç, u arratis nga vendi dhe iku në Ukrainë.

“Ndjekja penale e krimeve të kryera në këto fshatra pati një qasje sipërfaqësore, dhe çështjet të cilat duhet të ishin zgjidhur gjatë hetimit u lanë të zgjidheshin gjatë gjyqit, gjë e cila vonoi procedurën dhe i ekspozoi viktimat dhe anëtarët e familjeve ndaj traumatizimit shtesë sepse ato nuk e dinë se kur do të përfundojnë procedurat dhe nëse do të vihet drejtësi”, tha Zaniç.

Advertisement

Përpjekje për të shfajësuar komandantët jugosllavë

Përveç vonesave të shpeshta dhe ritmit të ngadaltë të procedurave, gjyqi shoqërua edhe me vendime që përjashtuan oficerë të lartë të Ushtrisë Jugosllave nga çdo përgjegjësi për vrasjet në katër fshatrat e Kosovës.

Në vendimin e shkallës së parë, gjykatësi zbuloi se komandanti i Ushtrisë Jugosllave Toplica Miladinoviç ishte në dijeni të krimeve dhe se ishte e qartë se njësitë që po vrisnin dhe plaçkisnin në Qyshk nuk po vepronin me mendjen e tyre.

Por gjykata e apelit, kur e rrëzoi vendimin dhe e dërgoi çështjen për rigjykim, tha se gjykata e shkallës së parë nuk e përcaktoi strukturën e Njësisë së 177-të të Ushtrisë Jugosllave me siguri dhe se për këtë arsye mbetet e paqartë nëse Skuadra e saj e Ndërhyrjes ekzistonte, nëse Miladinoviçi e komandonte atë dhe nëse ai ishte vërtet i autorizuar të jepte urdhra për veprime ushtarake. Gjyqtarja që punoi në vendimin e shkallës së parë gjithashtu u hoq nga pozicioni i saj.

Advertisement

Në të njëjtën kohë, prokuroria serbe nisi një hetim ndaj gjeneralit në pension Dragan Zivanoviç, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte komandant i Brigadës 125 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, e cila kishte autoritet mbi Njësinë e 177 të Ushtrisë Jugosllave dhe Skuadrës së saj të Ndërhyrjes.

Zivanoviç dha ​​një urdhër më 24 prill 1999 që njësitë e brigadës së tij të vendosnin kontroll ushtarak mbi fshatrat Qyshk dhe Zahaq, pasi besohej se luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin fshehur atje.

Prokuroria argumentoi në 2014 që Zivanoviç ishte në dijeni se ndërsa ndiqnin këtë urdhër, këto njësi, të cilat përfshinin Skuadrën e 177-të të Ndërhyrjes, do të vrisnin gjithashtu civilë, do të plaçkitnin prona dhe do të dëbonin fshatarët nga shtëpitë e tyre.

Prokuroria pretendoi gjithashtu se disa ushtarë të cilët ishin dënuar për krime lufte në vendimin e shkallës së parë në gjyqin e Skuadrës së 177 të Ndërhyrjes – përfshirë Toplica Miladinoviç, Milojko Nikoliç dhe Dejan Bulatoviç – kishin vepruar nën komandën e Zivanoviçit.

Advertisement

Zivanoviçi ishte i vetmi gjeneral i Ushtrisë Jugosllave që u hetua në Serbi për krime lufte, për sa dihet publikisht. Por në vitin 2017, prokuroria i pushoi hetimet.

Në të njëjtin vit, Rexhë Kelmendi dhe tre të mbijetuar të tjerë, të ndihmuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, paraqitën një apel në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë kundër vendimit të Prokurorisë së Krimeve të Luftës për të mbyllur hetimin. Apeli kushtetues pretendoi dy shkelje – të drejtën për një gjykim të drejtë dhe të drejtën për një hetim efektiv.

Në tetor 2020, Gjykata Kushtetuese e refuzoi apelin.

Por përveç se refuzoi apelin në lidhje me të drejtën për një gjykim të drejtë dhe efektivitetin e hetimit, Gjykata Kushtetuese mori një vendim mbi çështjen thelbësore të përgjegjësisë komanduese.

Advertisement

“Kjo çështje e përgjegjësisë komanduese meriton një përgjigje për shkak të rëndësisë së saj më të gjerë për … të dyshuarit në situata të ngjashme”, tha gjykata në vendimin e saj, të cilin BIRN e ka parë.

Vendimi përcakton një precedent të rrezikshëm për çdo rast tjetër që përfshin ndjekjen penale të mundshme të komandantëve të rangut të lartë për krime të kryera gjatë luftërave të viteve 1990.

Ai thotë se nuk është e mundur të ndiqet penalisht dikush në Serbi për përgjegjësinë komanduese për krimet e kryera nga vartësit gjatë luftës në Kosovë, sepse koncepti i përgjegjësisë komanduese u fut në Kodin Penal serb vetëm në vitin 2006, ndërsa krimet e pretenduara u kryen në 1999.

As nuk është e mundur të ndiqet penalisht dikush për krime kundër njerëzimit të pretenduara të kryera para vitit 2006, për të njëjtën arsye.

Advertisement

“Nga pikëpamja e parimit të ligjshmërisë, do të ishte e diskutueshme të ndiqeshin penalisht për këto krime, nëse ato janë kryer para vitit 2006 sepse zbatimi retroaktiv i ligjit nuk është i mundur”, thotë vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese konstaton se në këtë rast specifik, kushtet për të kryer një hetim/procedim penal kundër të dyshuarit (gjeneralit të Ushtrisë Jugosllave) Dragan Zivanoviç për përgjegjësinë komanduese nuk janë përmbushur, sepse përgjegjësia komanduese nuk ekzistonte në sistemin juridik serb para datës 1 janar 2006,”, tha vendimi.

“Justifikimi për mos akuzimin e gjeneralëve”

Ekspertë të lartë të ligjit për të drejtat e njeriut dhe gjykatat e krimeve të luftës argumentuan megjithatë se Gjykata Kushtetuese në Serbi nuk arriti t’i referohej të drejtës ndërkombëtare kur analizoi nëse Zivanoviç mund të gjykohet për përgjegjësi komanduese ose krime kundër njerëzimit.

Advertisement

“Është vërtetuar që parimi kundër ndëshkimit retroaktiv nuk shkelet nëse dikush ndiqet penalisht për sjellje ose mosveprime që ishin krime sipas ligjit ndërkombëtar në kohën kur ato ndodhën, dhe krimet kundër njerëzimit u përcaktuan shumë kohë para konflikteve të viteve 1990 në ish-Jugosllavi”, Diane Orentlicher, një profesoreshë në Universitetin Amerikan në Uashington dhe ish-zëvendëse për Çështjet e Krimeve të Luftës në Departamentin Amerikan të Shtetit.

“Kjo pikë njihet pa dyshim në dy traktate në të cilat Serbia është palë – Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike”, shtoi ajo.

Orentlicher vuri në dukje se parimi i përgjegjësisë komanduese pasqyron një premisë qendrore të së drejtës ndërkombëtare humanitare – “që komandantët ushtarakë kanë për detyrë të garantojnë që komandantët e tyre të mos kryejnë krime lufte. Përgjegjësia komanduese njihet qartë në Protokollin e Parë Shtesë të Konventave të Gjenevës të vitit 1949, në të cilën Serbia është palë.”

“Sipas mendimit tim, zor se do të shkelej parimi i ligjshmërisë nëse një prokuror serb akuzon një komandant ushtarak për dështim në përmbushjen e detyrimit të tij për të parandaluar vartësit e tij nga kryerja e krimeve të luftës në vitet 1990″, shtoi ajo.

Advertisement

Orentlicher tha se mund të ketë një mundësi tjetër për të akuzuar komandantët për përgjegjësi për krimet e kryera nga vartësit.

“Mund të jetë e mundur të akuzohet dikush që nuk arriti të përmbushë detyrimet e tij si komandant sipas parimeve të tjera të përgjegjësisë të njohura qartë në Kodin Penal të 1976 (të Jugosllavisë) Nëse është kështu, nga detyrimet që Serbia ka sipas të drejtës ndërkombëtare, duket se i takon Prokurorit të Krimeve të Luftës të ndjekë me zell këtë opsion”, tha ajo.

Manfred Nowak, një avokat dhe profesor austriak për të drejtat e njeriut i cili shërbeu si Raportues Special i Kombeve të Bashkuara mbi Torturat dhe ishte gjykatës në Dhomën e të Drejtave të Njeriut për Bosnjën dhe Hercegovinën, gjithashtu argumentoi se Serbia ka një bazë ligjore për të ndjekur penalisht këto krime.

“Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, kur themeloi Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në 1993, i theksoi qartë krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të cilat GJPNJ-ja do të ndiqte penalisht dhe gjykonte në territorin e ish-Jugosllavisë”, tha Nowak për BIRN.

Advertisement

“Gjykatat e posaçme të krimeve të luftës të krijuara në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi kanë për detyrë të ndjekin dhe të përfundojnë punën e bërë nga GJPNJ dhe munden, pra, të përdorin të njëjtat përkufizime të krimeve, pavarësisht nëse këto krime ishin tashmë pjesë e ligjit të ish-Jugosllavisë ose Serbisë më parë. Vendimi përkatës nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është ligjërisht i detyrueshëm për të gjitha shtetet”, tha ai.

Gjykatat në Bosnjë dhe Hercegovinë kanë gjykuar një sërë çështjesh në të cilat oficerë janë ndjekur penalisht në bazë të përgjegjësisë penale. Gjykatat kroate kanë përdorur gjithashtu konceptin e përgjegjësisë komanduese.

Refuzimi i Serbisë për të ndjekur penalisht oficerët e rangut të lartë ka shkaktuar kritika të përsëritura nga Bashkimi Evropian në progres raportet e tij mbi përparimin e vendit drejt anëtarësimit.

Por Fondi për të Drejtën Humanitare e përshkroi vendimin e Gjykatës Kushtetuese si një goditje ndaj çdo përpjekje të mëtejshme për të ndjekur penalisht gjeneralët për krime lufte.

Advertisement

“Një vendim i tillë do të shërbejë si një justifikim i shkëlqyer që zyra e prokurorit të krimeve të luftës të vazhdojë praktikën aktuale të mos akuzimit të askujt në bazë të përgjegjësisë komanduese”, paralajmëroi Zaniç.

Në fshatin Qyshk, ndërsa shënohet përvjetori i vrasjeve masive, vendimi i Gjykatës Kushtetuese vjen si një tjetër zhgënjim për të mbijetuarit.

Rexhë Kelmendi tha se ai sapo e ka marrë vesh vendimin sepse ai nuk ka marrë ndonjë informacion nga gjykata. Por gjithsesi, nuk është aspak i habitur.

“Ata i morën trupat e civilëve dhe i mbajtën të fshehur në varre masive”, tha ai. “Është e kuptueshme që ata do të përpiqen ta fshehin faljen e krimeve”. BI

Advertisement

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy