Kosova para fillimit më të vështirë deri më tani, por me shpresë për sukses

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Finlanda në vitin 2016, Azerbajxhani në vitin 2018, Bullgaria në vitin 2019 dhe Moldavia në vitin 2020.

Janë këta kundërshtarët e parë të përfaqësueses së Kosovës në futboll në ciklet e deritashme. Në të gjitha ndeshjet hapëse të kampanjave, Kosova ka barazuar. Luajti 1:1 me Finlandën më 5 shtator të vitit 2016, në hapje të eliminatoreve të para, ato për Botërorin 2018. Me Azerbajxhanin, më 7 shtator të vitit 2018, Kosova luajti pa gola, në ndeshjen e parë të Ligës D të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Kualifikimet për “Euro 2020”, Kosova i nisi me barazimin 1:1 me Bullgarinë, më 25 mars të vitit 2019. Ndërsa ndeshja e parë e edicionit të dytë të Ligës së Kombeve (Liga C) në mes të Moldavisë dhe Kosovës përfundoi 1:1. Ajo ndeshje ishte luajtur më 3 shtator të vitit të kaluar në Parma të Italisë.

Secila prej këtyre ndeshjeve është një kapitull i vogël në historinë jo shumë të gjatë të përfaqësueses së Kosovës. Është dëshmuar se ndeshjet fillestare nuk përcaktojnë rrugën e “dardanëve” në një cikël. Por ato megjithatë vlerësohen të rëndësishme.

Shumë e rëndësishme vlerësohet edhe ndeshja e së dielës ndaj Suedisë, që luhet në Prishtinë nga ora 20:45. Është ndeshje me të cilën Kosova i nis kualifikimet për kampionatin botëror “Katari 2022”. Për nga niveli, Suedia qëndron dukshëm më lart se Finlanda, Azerbajxhani, Bullgaria e Moldavia. Pra për të përzgjedhurit e Bernard Challandesit është starti më i vështirë i një kampanje deri më tani.

Advertisement

Suedia do të paraqitet në Evropian në verë, ndërsa ka plot lojtarë të nivelit më të lartë evropian. E ka edhe superyllin Zlatan Ibrahimoviq, për të cilin nuk dihet nëse do të luajë të dielën në “Fadil Vokrri”. Pavarësisht nëse Ibra do të jetë apo jo në fushën e stadiumit në Prishtinë, Suedia është favorite e madhe ndaj Kosovës.

Suedezët tashmë kanë nisur kualifikimet. Të enjten në Solna mposhtën Gjeorgjinë me shifrat 1:0. Ibrahimoviq asistoi për Viktor Claesson, që realizoi golin e vetëm. Në ndeshjen tjetër të grupit, Spanja luajti 1:1 me Greqinë. Pavarësisht se mori vetëm një pikë në hapje, Spanja mbetet favoritja e madhe e grupit. Pas saj menjëherë vjen Suedia. Tri përfaqësueset e tjera, duke përfshirë Kosovën, do të tentojnë të “sulmojnë” pozitën e dytë në grup, që siguron barazhin.

Natyrisht, Kosovës do t’i shërbejë shumë përvoja e krijuar nga viti 2016 e tutje. Në kualifikimet e para, pika ndaj Finlandës mbeti e vetmja.

Në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, Kosova pati kampanjë të suksesshme, por që nuk u finalizua me ndeshjen e vjeshtës së kaluar ndaj Maqedonisë së Veriut, që ishte e vlefshme për kualifikim në Evropianin që mbahet këtë verë. Në kualifikimet e rregullta për këtë Evropian, Kosova ishte në garë fuqishëm, por humbjet në ndeshjet e fundit e lanë pa biletë. Dhe kampanja e vitit të kaluar në Ligën e Kombeve ishte vlerësuar e pasuksesshme.

Advertisement

Fitorja 1:0 ndaj Moldavisë më 18 nëntor dhe sidomos ajo 4:0 ndaj Lituanisë në miqësoren e së mërkurës kanë ndrequr atmosferën te Kosova. Te Kosova ka optimizëm, por edhe maturi para ndeshjes me Suedinë. Suedia megjithatë është nivel krejt tjetër në krahasim me Lituaninë. Ndeshja me Suedinë i lë vend asaj me Spanjën, që luhet të mërkurën e ardhshme në Sevilla.

Ndaj Lituanisë, Kosova nuk kishte shumë rezistencë. Ka shënuar katër gola dhe ka mundur të shënojë edhe shumë të tjerë. Në atë ndeshje Kosova ishte pa portierin e parë, Arijanet Muriq, që është larguar nga kampi për thyerje të rregullave disiplinore. Mbrojtësi kryesor i qendrës, Amir Rrahmani është kthyer në Itali, ku luan për Napolin, pasi nuk ia ka dalë të sanojë një lëndim. Pos Muriqit e Rrahmanit, ndaj Suedisë do të mungojë edhe një tjetër mbrojtës i qendrës, Ibrahim Dresheviq. Ai është i suspenduar për shkak të kartonëve.

Kosova ka stërvitur të enjten e të premten, ndërsa do të vazhdojë me ushtrime edhe të shtunën që ndaj Suedisë të shfaqë sa më shumë. Stërvitjet janë zhvilluar në një fushë të Kampit Nacional që po ndërtohet në Hajvali, në mënyrë që të ruhet fusha e stadiumit “Fadil Vokrri”.

“Gëzon fakti se të gjithë futbollistët janë në gjendje të mirë, derisa fitorja në miqësore kundër Lituanisë ka bërë që atmosfera brenda kampit të jetë shumë e mirë dhe të gjithë e presin me pozitivitet duelin me suedezët”, ka njoftuar FFK-ja.

Advertisement

Me shumë mundësi porta do t’i besohet Samir Ujkanit, kapiteni i parë i përfaqësueses, ndonëse ai nuk luan fare për skuadrën e Torinos. Por Ujkani e ka përvojën e ndeshjeve ndërkombëtare që vlerësohet me rëndësi.

“Përgatitjet po shkojnë mirë. E kemi pasur kohën pak të vështirë, por jemi përgatitur mirë për këtë duel të rëndësishëm. Me Lituaninë ishte një test i rëndësishëm për të treguar se jemi të gatshëm për lojë. Tani na pret një lojë krejt tjetër, me një ekip të fortë që është i nivelit tjetër dhe favorit i grupit. Po ashtu është kthyer Ibrahimoviqi, një top-lojtar”, ka theksuar Ujkani, të premten.

“Ne duhet të mendojmë vetëm për Suedinë. Kjo është finalja jonë. Të japim maksimumin dhe të shpresojmë në një rezultat sa më të mirë. Të marrim pikët dhe të vazhdojmë me paraqitje pozitive edhe në ndeshjen tjetër. Suedia është ekip i organizuar taktikisht, ka lojtarë shumë të mirë. Por ne duhet të luajmë lojën tonë dhe të shpresojmë për një rezultat pozitiv”, ka shtuar kapiteni Ujkani.

Paraqitje të mirë ndaj Lituanisë kishte mesfushori Besar Halimi. Ai realizoi gol të bukur në atë fitore të thellë. Edhe Halimi ka thënë se miqësorja me lituanët shërben shumë. Ai është i bindur se përfaqësuesja do të jetë gati për ndeshjen me Suedinë.

Advertisement

“Do të jetë një ndeshje e vështirë pasi Suedia ka ekip të mirë, me lojtarë që luajnë në ekipet më të mëdha të Evropës. Mirëpo ne jemi të gatshëm për Suedinë dhe shpresoj të marrim një fitore për ‘Dardanët’, që përkundër situatës janë vazhdimisht afër nesh dhe na përkrahin në forma të ndryshme”, ka thënë mesfushori Halimi.

Entuziazmi i vitit 2019 nuk është më rreth përfaqësueses së futbollit, kryesisht për shkak të pandemisë, por edhe për shkak të rezultateve jo të mira të vitit të kaluar. Mungesa e shikuesve në stadium vlerësohet hendikep për Kosovën. Këtë e kanë pranuar të gjithë. Të gjithë në përfaqësuese janë po ashtu të vetëdijshëm se për rezultat pozitiv ndaj Suedisë, fitore apo barazim, duhet një paraqitje e nivelit më të lartë.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy