Ekstravagancë në det dhe në ajër, jahti fluturues po bëhet gati

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Ekstravagancë në det dhe në ajër, jahti fluturues po bëhet gati

Një kompani italiane ka zbuluar modelin e saj të fundit për një superjaht luksoz, i cili është i projektuar për të lundruar dhe për të fluturuar njëkohësisht.

I quajtur Jahti Ajror, mjeti ekstravagant është zbuluar përmes disa imazheve që tregojnë konceptin e kompanisë romane “Lazzarini Design Studio”. E gjithë struktura e jahtit do të jetë e përbërë nga fibra karboni. Mjeti do të punojë në sajë të tetë motorëve elektrikë, të furnizuar edhe me energji diellore, ndërsa do të ketë edhe dy balona gjigante të mbushura me helium, që do ta lejojnë të fluturojë dhe të pluskojë mbi ujë. Jahti mendohet të arrijë një shpejtësi prej 60 nyjesh detare, ose 111 km/h.

Për momentin nuk ka ende parashikime për kostot e ndërtimit apo një çmim shitjeje, por me siguri që do të jetë te disa qindra miliona euro. E gjithë struktura do të jetë rreth 150 metra e gjatë dhe 80 metra e gjerë. Dy balonat gjigante do të mbajnë rreth 400 000 m3 helium të kompresuar, që do të mundësojnë funksionin e dyfishtë të këtij jahti luksoz.

Kompania thotë se Jahti Ajror nuk është një mjet për transport publik apo turizëm, kështu që kostot e larta do të jenë të justifikuara nga fjala e fundit e teknologjisë dhe luksi i tepruar, i përshtatur për udhëtime të gjata në det apo në qiell.

Advertisement

Në total janë pesë suita për udhëtarët, secila me dritare gjigante për të shijuar panoramën në lundrim, ose në 1500 metra lartësi. Gjithashtu jahti, do të ketë edhe komoditetet tashmë “të zakonshme”, si pishinë, një bar, një dhomë ndenjeje e bollshme dhe sallon ngrënieje.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy