Siberia: Një vend, mijëra popuj

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Siberia: Një vend, mijëra popuj

Nga Vladimir Pachkov, La Civilta Cattolica

Nëse Rusia është një vend ekstremesh, Siberia është akoma më shumë. I ftohëti siberian është proverbialisht i njohur edhe në Europë, por jo të gjithë e dinë se në pjesën më të madhe të Siberisë verën nën një të nxehtë tropikal. Siberia është një vend i pasur me lëndë djegëse me bazë fosile, që anipse kontribuojnë në mbajtjen gjallë të ekonomisë globale, favorizojnë ndjeshëm edhe ndotjen mjedisore. Njëkohësisht, pyjet e Siberisë, bashkë me ato tropikale, janë mushkërinjtë e planetit dhe është këtu që gjendet deri 80% e ujit të pijshëm të disponueshëm dhe në pjesën më të madhe ende e pastër e të gjithë planetit. Qysh nga epoka e carëve, Siberia ka qenë një burg i madh si për kriminelët, ashtu edhe për kundërshtarët e regjimit dhe kjo famë e keqe është rritur me gulagët gjatë epokës sovjetike. Nga ana tjetër, kantautori i famshëm Vladimir Vysockij, i vdekur pak përpara perestrojkës, megjithëse duke kontribuar në mënyrë domethënëse me tekstet e tij për rënien e diktaturës, ka mundur të thotë për këtë vend: «Veri, liri, shpresë, vend pakufi. Borë pa pisllëk, si një jetë e gjatë pa gënjeshtra». Askush nuk e di me saktësi nga vjen fjala «Siberi». Është me origjinë turke (siber: «bukur») apo mongole (schiber: tregon një zonë moçalore me një pyll betullash), por mund edhe të rrjedhë nga emriqë i ishte dhënë fisit mongol të tartarëve: Sabyr. Edhe pse natyra e Siberisë është e mrekullueshme dhe disa aspekte të jetës – si ekonomia apo gjeopolitika – janë shumë interesantë, ajo që godet më shumë janë njerëzit që e banojnë. Procesi i gjatë i emigrimit dhe i bashkëjetesës, me adaptimin reciprok, por edhe me konfliktet e moskuptimet midis vendalinjve dhe të ardhurve herëpasëhere në këtë vend, ofron një histori magjepsëse dhe udhëzuese edhe për shumë popuj të tjerë të botës.

Siberia, tokë emigracioni

Megjithëse në Siberi – një zonë e madhe prej pothuajse 13 milion kilometrash katrore – jetojnë aq njerëz sa ka në Moskë dhe Shën Petrësburg (17 milion; 30 milion, në rast se përfshihen zonat e mëdha e Lindjes së Largme Ruse), është e çuditshme larmia e popullsisë së saj. Përveç popujve që kanë jetuar aty qysh nga Epoka e Akullnajave dhe që vërtet mund të quhen autoktonë, ka shumë të tjerë që kanë ardhur më vonë: sidomos popuj turq, por edhe grupe të ndryshme sllave. Nëqoftëse kihet parasysh se Siberia nuk është rajoni më mikpritës i Tokës, mund të mrekullohesh sesi kaq shumë popuj janë vendosur aty. Ama Siberia ishte – dhe është – e pasur me rezerva natyrore për të cilat qeniet njerëzore kanë nevojë për të jetuar: gjuetarët e parë kanë shkuar në veri në ndjekje të kafshëve të egra të mëdha; rusët i kanë kërkuar fillimisht prej peliçe, më pas kanë shkuar në kërkim të një toke pjellore dhe së fundi për naftën, gazin natyror, metalet e rralla dhe diamantet.

Advertisement

Kush jeton në Siberi?

Vasilij Osipoviç Kluçevsky, historian i madh rus i shekullit të XIX, ka pohuar se Rusia është një vend emigracioni dhe se territori i saj i emigrimit ka ardhur duke u zgjeruar me ekspansionin e shtetit. Ky proces vazhdon edhe në kohën tonë. Kjo është aq më shumë e vërtetë kur flitet për atë pjesë të Rusisë që është Siberia. Përgjigja e parë e natyrshme ndaj pyetjes së bërë në titullin e paragrafit është: «indigjenët» e Siberisë. Por në këtë rajon emigruan edhe popullsitë që sot konsiderohen indigjene dhe shumë prej tyre relativisht vonë: për shembull, jakutët dhe çukçët, dy popuj të mëdhenj që u formuan vetëm midis shekullit të VIII dhe atij të XII, kur grupe të konsiderueshme të popullsisë turke emigruan drejt veriut, rreth Liqenit Bajkal, pjesërisht duke shtypur, pjesërisht duke asimiluar popujt që jetonin aty qysh nga epoka e gurit (evenkët). Lindi kështu populli jakutëve, që sot konsiderohet «populli fillestar» i Siberisë. Më në veri, në zonën e Siberisë që ndodhet përballë Alaskës, «autoktonët» e sotëm, çukçët, jetojnë aty vetëm nga shekulli i XX secolo; 200 vite më parë aty jetonin faktikisht eskimezët. Deri 100 vite më parë, kishte zona të gjera të Siberisë ku jetonin vetëm autoktonët, por tani nuk është më kështu. Edhe kolonët sllavë që arritën për herë të parë në Detin e Bardhë në shekullin e XIV dhe që më pas u spostuan më në lindje mund të konsiderohen autoktonë. Deri më tani «pomory» – që do të thotë «popull i detit» – zyrtarisht nuk njihen si autoktonë, megjithëse konsiderohen një popull i pavarur, që ka pasur një kulturë të veten dhe ka jetuar «gjithmonë» në veri dhe në Siberi.

Përveç «pomory», ka një pjesë tjetër të popullsisë që konsiderohet si grup etnik i pavarur, megjithëse duke pasur shumë të përbashkëta më rusët: kozakët. Ata qenë një grup plaçkitësish gjatë kolonizimit rus të Siberisë. Bashkë me tregëtarët, qenë të parët që arritën në këtë vend, kur në shekullin e XVI Rusia po merrte kontrollin e këtij rajoni. Pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes me Dinastinë kineze Cing (1689), në Siberinë lindore u ngrit zona e parë e vetëqeverisjes së tyre. Kozakët siberianë nuk qenë vetëm roje kufitare, por edhe bujq të pasur që dinin sesi ta përdornin potencialin bujqësor të rajonit. Por pikërisht si të tillë qenë të rrezikshëm për bolshevikët dhe qysh në janarin e 1919 u miratua në urdhër sekret që i hapte dritën jeshile represionit dhe në fund shfarosjes së tyre si grup social. Vetëm pas rënies së Bashkimit Sovjetik, kozakët qenë në gjendje të rifitonin zakonet dhe kulturën e tyre.

Duhet nënvizuar se migrantët rusë, në periudhën midis shekullit të XVII dhe fillimit të shekullit të XIX – në ndryshim nga migrimi pasues masiv, i nisur pas ndërtimit të Transiberianes – jo vetëm formuan një komunitet kulturalisht special, por duke qenë të ardhur në grupe të vegjël qenë në gjendje të integroheshin në jetën e vendalinjve thuajse pa probleme dhe arritën deri të përziheshin me ta. Këta kolonë të «vjetër» rusë u përhapën nga Jakutsia në Kamchatka. Ishte interesante gjuha e tyre, që nga njëra anë posedonte tiparet e dialekteve të lashta ruse të veriut, nga ana tjetër kishte shumë huazime nga gjuhët e popullsive vendase. Edhe besimi fetar i tyre ishte një përzierje e fesë ortodokse me shamanizmin siberian.

Advertisement

Trashëgimtarët e kolonëve të tillë jetojnë akoma sot në fshatrat siberiane më në veri dhe ruajnë ende shumë tipare të trashëguara nga etërit e tyre. Kolonët u transferuan në Siberi jo vetëm prej pasurive të saj, por edhe pse aty mund t’i shpëtonin shtrëngimit shtetëror. Besimtarët e vjetër emigruan në Siberi që të mund ta ushtronin besimin e tyre pa qenë të bezdisur nga qeveria dhe nga hierarkia ekleziaste. Në pjesën europiane të Rusisë, por sidomos në Siberi, këta besimtarë u bënë biznesmenë të afirmuar; midis fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të atij të XX zhvilluan industrinë moderne të Rusisë; ndoqën një etikë pune të rreptë; pushuan së piri alkool dhe cigare dhe i dërguan të gjithë fëmijët në shkollë, në mënyrë që ta lexonin Biblën vetë.

Burg pa mure

Duket se ekstremet janë karakteristika e këtij vendi në çdo aspekt: Siberia qe tokë lirie, por edhe burgjesh, shekuj përpara komunistëve dje gulagëve të tyre. U përdor nga qeveria e Moskës si vend internimi qysh në shekullin e XVI, kur nuk ishte ende krejtësisht nën kontrollin e saj. Duket se të internuarit e parë qenë banorë të Uglich, të akuzuar se kishin vrarë trashëgimtarin e fronit Dmitri (1593). Megjithatë qeveria cariste deshi jo vetëm t’i internojë opozitarët, por edhe t’i përdorë ata për zhvillimin e potencialiteteve të rajonit dhe ta kolonizojë atë. Kriminelët dhe kundërshtarët e qeverisë u dërguan nëpër burgje apo thjesht u internuan në Siberi, shumë shpesh me familjet e tyre. Aty mundën t’i rindërtonin jetët e tyre dhe të siguronin një begati të caktuar. Internimi pati një efekt të dyfishtë mbi moralin dhe mentalitetin e njerëzve që jetonin në Siberi: nga njëra anë pjesë të nënkulturës kriminale u inkorporuan në jetën e tyre; nga ana tjetër, pasi internoheshin kundërshtarë «politikë» të regjimit, në këtë territor erdhën shumë njerëz të arësimuar, duke sjellë me vete dije dhe ide që e pasuruan shumë jetën e komuniteteve vendore.

Puna e burgjeve siberiane ishte e mirënjohur edhe në Perandorinë Cariste, por fama ishte shumë më keq nga realiteti. Pavarësisht se dukej si një shtet autoritar, në fillimin e shekullit të XX Rusia ishte në vendet e fundit në nivel botëror për nga numri i të burgosurve: 60 për çdo 100000 banorë, për një kohë dënimi mesatare prej 2 muajsh. Bolshevikët e ndryshuan në mënyrë drastike këtë situatë. Politika e kampeve të përqëndrimit filloi në vitet pas putsch të tetprit. I pari i tyre u ngrit më 1923 në ish Manastirin Solovki në ishujt e Detit të Bardhë. Mgjithatë, arrestimet masive filluan vetëm pas mesit të viteve ‘30. Midis viteve 1935 dhe 1953 numri i të dërguarve në gulagë kaloi nga 966000 në rreth 2.5 milion. Edhe pas lirimit, shumë prej tyre mbetën në Siberi, o sepse nuk kishin më askënd ku të ktheheshin, o pse nuk kishin mundësi të gjenin punë tjetërkund, o pse u ndalohej prerë ta linin vendin.

Advertisement

 Të emigruar nga Lindja e Largme

Në Siberi, ashtu si në zonat e Lindjes së Largme Ruse jetojnë prej shumë kohësh edhe shumë emigrantë nga vende të tjera të Lindjes së Largme. Koreanët e parë arritën në Rusi më 1861. U pritën mirë, gjë që favorizoi një emigrim të mëtejshëm nga Koreja. Qysh më 1868 kishte 1800 koreanë që jetonin në Lindjen e Largme Ruse (rusët dhe kozakët bashkë qenë 6200). Ata u integruan menjëherë: mësuan rusishten dhe veshën edhe rrobat e fshatarëve rusë. Kinezët krijuan një grup tjetër shumë të rëndësishëm për zhvillimin e vendit. Deri më 1910, qeveria përdorte si punëtorë ndërtimi vetëm kinezë, sidomos për ndërtimin e porteve dhe të hekurudhave. Guvernatori i Përgjithshëm i rajonit të Amurit më 1903 u shpreh se ishte kundër transferimit të punëtorëve rusë, pasi shumë shpesh ata tregoheshin të pakënaqur, ndërsa kinezët punonin rëndshëm dhe nuk ankoheshin. Përpara revolucionit, Vladivostok ishte më shumë i ngjashëm me Shanghai sesa me një qytet rus dhe shumica e popullsisë ishte kineze: më 1902 aty banonin 11500 rusë dhe 15000 kinezë, 2300 koreanë, 2400 japonezë; ishin edhe 13000 ushtarë rusë; ama nga momenti që aty banonin edhe shumë emigrantë klandestinë, rusët qenë në minorancë. Në vitet ’30, kinezët u përzunë për në Kinë ose u desh të përballen me një fat më të keq. Siberia regjistroi rritjen më të fortë të popullsisë në gjysmën e dytë e shekullit të XX për shkak të industrializimit të rajonit. Akoma sot shumë punonjës migrantë të ardhur nga zona të tjera të Rusisë spostohen drejt veriut, pasi mund të fitojnë shumë më tepër aty sesa në rajonet e tyre.

Një proces i vështirë bashkëjetese

Bashkëjetesa midis grupeve të ndryshme nuk ka qenë gjithmonë harmonike, megjithëse në thelb të gjithë i përkasin një popullit të vetëm, megjithëse kanë arritur në Siberi në momente të ndryshme. Në fundin e shekullit të XIX. Megjithëse duke qenë shumë pak i populluar, vendi nuk ishte bosh dhe bujqit rusë që vinin aty thjesht nuk mund t’i injoronin vendalinjtë. Është interesante të vërehet se rusët, që kishin ardhur në Siberia shumë më parë dhe që prandaj konsideroheshin «banorë të vjetër», i përçmuan kolonët e rinj si «fshatarë qesharakë», që kishin sjellë «zakonet ruse» në jetën e qetë e të rregullt siberiane. Arësyeja kryesore e konflikteve nuk qenë kulturat apo perspektivat kulturore të ndryshme, por toka pjellore. Të ardhurit e rinj shumë shpesh duhej të konkurronin për tokën me banorët e vjetër, pasi administrata nuk kishte arritur t’i shpërndante në mënyrë të ekuilibruar resurset e disponueshme.

Advertisement

Adaptimi është gjithmonë një proces i vështirë dhe migrimi shumë shpesh çoi në moskuptime, edhe midis grupeve kulturalisht të ngjashëm, si rusët e pjesës europiane të Rusisë dhe rusëve të Siberisë. Në këtë jo vetëm ngjarjet e jashtme gjeneruan konflikte, por edhe takimi midis emigrantëve dhe banorëve të vjetër qe i vështirë dhe i lodhshëm qysh nga fillimi. Raportet me vendasit qenë edhe më të komplikuara për shkak të diferencave të konsiderueshme kulturore. Secila nga plaët e konsideronte tjetrën si të «huaj». Për  rusët, vendasit qenë «paganë, aziatikë, një hordhi». Kjo përbuzje bëri që dhuna të konsiderohej si mënyra më e lehtë e zgjidhjes së kontrasteve. Për shembull, kjo ndodhi në korrikun e 1908 në një panair në Turgai, ku pati viktima dhe ky nuk qe konflikti i vetëm midis vendave dhe të ardhurve të rinj që zgjidhej nëpërmjet armëve. Mund të nënvizojmë sesi tendenca e zgjidhjes së kontrasteve me dhunë ishte më e madhe atje ku sa më të ndryshme qenë kulturat dhe mentalitetet e palëve të përfshira. Kjo rezistencë nga ana e vendasve shpesh pati si pasojë dështimin e adaptimit të migrantëve dhe rikthimin e tyre në Rusinë europiane.

Pati edhe përleshje midis ortodoksëve dhe besimtarëve të religjioneve të lashta. Këta të fundit, që kishin banuar prej shekujsh në Siberim nuk i lejonn të tjerët që të vendoseshin në fshatrat e tyre. Për shembull, tregohet për një një ortodoks që kishte ndërtuar një shtëpi në një fshat besimtarësh të vjetër. Kjo nuk u plëqeu këtyre të fundit, të cilët i shkatërruan sobën (dhe pa sobë në Siberi nuk mund të mbijetohet). Nuk kishte motive konkrete për një gjest të tillë përveç faktit që ai person «nuk i përkiste» atij fshati. Janë të shumta rastet në fillimet e shekullit të XX ku vendalinjtë arrijnë të refuzojnë të ardhurit e rinj. Por më vonë – qysh në kohën e Bashkimit Sovjetik – numri i kolonëve të rinj u bë aq i madh sa që vendalinjve ju desh t’u përshtateshin kushteve të reja të jetesës dhe kulturave të reja. Procese adaptimi reciprok kanë shkuar shpesh në drejtimin e asimilimit të autoktonëve, numerikisht inferiorë karshi emigrantëve.

Diferenca midis vendasve të Siberisë dhe atyre që qenë emigrantë në vitet ’30 ishte sidomos tek kultura. Nga pikëpamja e emigrantëve, «ne» dhe «ata» specifikohej kështu: «ne» ndërtojmë fabrika, rrugë dhe aeroporte, kurse «ata» jetojnë nëpër pyje me drerët e tyre. Kurse për vendalinjtë të gjithë emigrantët qenë «rusë», pavarësisht kombësisë së tyre (rusë, ukrainas, armenë apo të tjerë). Por nëse në vitet ’30 e shekullit të kaluar «rusët» jetonin pakashumë në të njëjtat kushte me autoktonët, në vitet ’60 dhe ’70 pati një pabarazi të madhe. Faktikisht, të gjithë ata që vinin nga rajone të tjera të Bashkimit Sovjetik siguronin menjëherë shumë privilegje prej faktit të thjeshtë se kishin pranuar të punonin «në veri»: fitonin thuajse dyfishin e vendalinjve për të njëjtën punë dhe paguanin në pak taksa. Pas disa vitesh diferenca arriti në 300% (pasi çdo vit mund të fitohej 10% më shumë).

Sa më lartë të ishte pozicioni, aq më e madhe ishte diferenca në të ardhura. Nga këtu konkurrenca e fortë për punët e mirëpaguara, nga të cilat popullsia vendse brenda pak kohe u përjashtua. Kështu diferenca midis kujt kishte ardhur për të bërë para dhe vendalinjve u thelluar dukshëm. Në sytë e këtyre të fundit, të ardhurit e rinj, edhe pse pragmatistë, qenë lakmiqarë, ndërsa ata qenë të lidhur me tokën e paraardhësve të tyre në mënyrë shumë të thellë. Nga ana tjetër, autoktonët konsideroheshin nga të ardhurit e rinj si njerëz dembelë që jetonin në kurrizin e shtetit dhe ia besonin kurave të tij deri edhe fëmijët e tyre.

Advertisement

Por duke filluar nga 1990 «rusët» e ardhur në Siberi e në veri dhe sidomos fëmijët e tyre e konsideruan këtë vend si shtëpinë e tyre dhe filluan të ndjejnë edhe një lidhje të thellë emotive me të. Veç kësaj, e shikonin kulturën e popullsisë vendase jo si një traditë kombëtare të huaj, por si një pjesë të kulturës dhe të historisë së tyre. Vendi ku kishin hyrë baballarët e tyre, me gjithçka që i dallon – drerë, përralla, folklor, natyrë – u bë për shumë shtëpia e tyre. Motivi ishte se pas rënies së Bashkimit Sovjetik nuk pati më stimuj materialë – të paktën në vitet ’90 – për të qëndruar në Siberi e në veri: shumë u larguan dhe njerëzit që mbetën hynë në një raport me të ngushtë me popullsinë vendase.

Shpërbërja e ideologjisë komuniste la edhe një boshllëk shpirtëror dhe shumë rusë ju drejtuan kulturës fillestare – përfshi atë shpirtërore – të vendalinjve. Rrethanat e jetës në vitet ’90 i shtrënguan shumë ish punëtorë të industrisë t’i drejtoheshin dijes tradicionale të natyrës nga ana e popullsisë vendase (bujqësi, gjueti dhe peshkim) që të mund të mbijetonin. Dhe ata e bënë në mënyrën me të cilën vendalinjtë i ushtronin zanate të tillë prej mijëra vjetësh. Një gjë është të dalësh për peshkim me një varkë moderne, një gjë krejt tjetër të dalësh në det të hapur me një kanoe të vogël.

Akoma më i rëndësishëm ishte fakti që atëhere, ashtu si shekuj më parë, mbjetesa e familjes varej nga suksesi i gjuetisë. Kjo çoi në një ndryshim në perceptimin reciprok që ndodhi si midis vendalinjve, ashtu edhe midis «rusëve». Vetëidentifikimi i bazuar mbi kombin ja la vendin vetëidentifikimit të bazuar mbi jetën dhe fatin e përbashkët. Integrimi reciprok çoi jo vetëm në asimilimin e vendasve nga ana e «rusëve», por edhe në faktin që «rusët» të cilët jetonin në veri zhvilluan një identitet të tyrin, që shpesh kishte shumë më tepër gjëra të përbashkëta me kulturën e indigjenëve të Siberisë e të veriut sesa me atë të kushërinjve të tyre të Rusisë europiane. Kështu të gjithë të ardhurit e rinj, që nga vendalinjtë më parë konsideroheshin të «huaj», pavarësisht nga origjina e tyre dhe identifikoheshin si «rusë», tani u bënë «siberianë» si për vendalinjtë, ashtu edhe për vetë ata.

Çfarë nënkupton ky «identitet» siberian?

Advertisement

Identiteti siberian është shfaqur qysh në shekullin e XVII, anipse ka pësuar ndryshime të thella gjatë shekullit të XX për shkak të migrimeve masive nga pjesë të tjera të Bashkimit Sovjetik. Të parët që folën për një identitet të veçantë siberian qenë intelektualët siberianë në shekullin e XIX. Ata e konsideronin Siberinë si koloni, por me rolin e veçantë të urës midis Azisë dhe Europës: ajo ishte një vendtakimi midis qytetërimeve. Njëkohësisht, Siberia thirrej që të mbronte veçantinë e saj përballë kulturave të tjera. Sipas Jadrintzev, intelektual i njohur siberian, rrugëtimi i Siberisë nuk ka qenë vetëm ai i Lindjes apo ai i Perëndimit, por një integrim real i këtyre dy rrugëtimeve. Shkrirja e kulturave dhe e popullsive – ruse dhe vendase – çoi në lindjen e një qytetërimi siberian me një identitet të vetin. Megjithatë, raporti me Rusinë europiane mbetet pika e referimit më e rëndësishme, pasi qytetërimi siberian përbëhet kryesisht nga elementi rus dhe ai autokton. Siberia është pjesë e Rusisë, por një pjesl që ka raport të veçantë me Rusinë.

Një tjetër komponent i rëndësishëm i identitetit siberian jepet nga shprehja «të jesh siberian», që është bërë proverbiale në Rusi dhe në vende të tjera. Megjithëse nuk ekziston një tip etnik «siberian», megjithatë mund të flitet për njerëz që jetojnë në Siberi si për një grup etnik me karakteristikat e veta. Lidhur me këtë nuk ka dyshime. Identiteti siberian është formuar në procesin e inkorporimit të Siberisë në Rusi. Diferencat midisa banorëve të Siberisë dhe atyre të pjesës europiane të Rusisë qëndrojnë tek mentaliteti dhe vetëidentifikimi. Deklarimi «siberianë» i tyre është i rëndësishëm sidomos për vetë ata, megjithëse nuk ka diferenca themelore midis tyre dhe banorëve të tjerë të Rusisë. Emri që i bashkon ka një forcë të veçantë për ta. Termi «siberian» është i njohur qysh nga shekulli i XVII. Siç e kemi hënë, ndërsa identiteti rajonal siberian ekzistonte nga shekulli i XVII, shfaqja e një identiteti të qytetërimit siberian ndodhi vetëm në fundin e shekullit të XIX dhe ky proces vazhdon akoma sot.

Përgatiti: Armin Tirana

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy