Matja e audiencës televizive, AMA dhe operatorët privatë bien dakort për ngritjen e një grupi pune

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Matja e audiencës televizive, AMA dhe operatorët privatë bien dakort për ngritjen e një grupi pune

Autoriteti i Medias Audiovizive ka bërë bashkë këtë të mërkurë operatorët më të rëndësishëm mediatik në vend për të diskutuar lidhur me ngritjen e një grupi pune për matjen e audiencës televizive. Sipas kryetares së këtij institucioni matja e audiencës vjen si një domosdoshmëri pasi i shërben televizioneve dhe programacionit të tyre për të kuptuar jo vetëm audiencën por dhe kërkesat e tregut. Takimi përfundoi me një marrëveshje.

“Ngritja e një grupi pune është një domosdoshmëri jo për institucionin rregullator por është domosdoshmëri për vetë tregun mediatik, për të parë se cili funksionon më mirë dhe cili funksionon më dobët. Është një instrument që shumë vende jo vetëm në Europë por dhe në rajon e ka implementuar. është në funksion të bashkërregullimit dhe ne do të jemi vetëm në rolin e koordinimit ndërsa vetë institucionet e mendrave do të kenë fuqinë vendimmarrëse”, u shpreh kryetarja e AMA-s Armela Krasniqi.

Matja e audiencës për vite më radhë ka qenë një objekt abuzimi nga disa kompani të dyshimta private, të cilat shpesh kanë publikuar në shkelje të çdo etike shifra jotransparente dhe të njëanshme. Ndaj kjo ishte dhe një ndër pikat kyç të diskutimit mes subjekteve mediatike. Nga diskutimet doli qartë se transparenca dhe besueshmëria është faktori kryesor për të zhvilluar këtë  proces kaq të domosdoshëm për tregun mediatik.

“Dihet që niveli i marketingut në Shqipëri është me i lartë se ai i Maqedonisë. Por çështja është se ku do i gjejmë ne fondet. Pjesa tjetër,  organizimi, transparenca vijnë më pas. Gjeja më e thjesht është shohim sa kushton projekti si do ndahet pastaj bërja e strukturave, a do ketë përfaqësues nga qeveria. Por qe te funksionoj duhet të jetë private. Transparenca do jetë e pranueshme afër te vërtetës dhe jo siç është, qesharake”, u shpreh CEO i Vizion Plus Genc Dulaku.

Advertisement

Pjesë e diskutimeve ishte dhe vendimmarrja që u takon mediave veçanërisht atyre kombëtare, në raport me ato lokale.

Grupi i punës është hapi i parë i këtij procesi delikat për të cilin tregu ka kaq shumë nevojë./vizionplus.tv

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy