Bytyqi beson se kalimi në Konyaspor do të jetë “trampolinë” për te Kosova

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Prishtinë, 8 janar – Sulmuesi i krahut, Zymer Bytyqi, është i bindur se kalimi në Superligën e Turqisë, te skuadra e Konyasporit, do t’i ndihmojë që të ketë mundësi dhe minutazhë më të madhe te Përfaqësuesja e Kosovës në futboll.

Bytyqi të premten u zyrtarizua te Konyaspori, ekip me të cilin firmosi kontratë për dy vjet e gjysmë. Ai te Konyaspori u transferua si futbollist i lirë pasi në fund të dhjetorit i përfundoi kontrata me Vikingun e Norvegjisë.

Bytyqi 24-vjeçar insiston se ka bërë hap të rëndësishëm në karrierë që ka vendosur t’i bashkohet Konyasporit, ndërsa shton se kampionati i Turqisë është shumë cilësor dhe ka mundësinë që të zhvillohet edhe më shumë si futbollist. Ai beson se tek ekipi i ri do të luajë rregullisht, edhe pse thotë se i nevojitet pak kohë që të ambientohet në rrethin e ri.

“Duhet pranuar se konkurrenca është shumë e madhe te Konyaspori, pasi ka lojtarë shumë cilësorë. Mirëpo, synimi im është që të luaj rregullisht te Konyaspori, pasi për këtë arsye edhe jam transferuar te ky ekip. Më nevojitet pak kohë për t’u përshtatur në një ekip dhe kampionat të ri”, ka thënë Bytyqi për KOHËN.

Advertisement

“Mendoj se kalimi në Turqi është një hap shumë i madh dhe i rëndësishëm në karrierën time, i cili jam i bindur se do të më ndihmojë që të kem më shumë mundësi edhe te Kosova. Është një ekip dhe ligë e mirë dhe nëse kam hapësirën e duhur, atëherë do të merrem edhe më shumë parasysh te Kosova që këtë vit nis ciklin eliminator për Botërorin e vitit 2022”.

Bytyqi para një viti luajti për Kosovën ndaj Suedisë B. Edhe Kosova luajti kryesisht me lojtarë kandidatë për përfaqësuese. Ai ka debutuar te Kosova në moshë shumë të re në miqësoren historike ndaj Haitit, në vitin 2014. Por më pas vazhdoi te të rinjtë e Norvegjisë. Ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja të Norvegjisë, por nuk depërtoi në përfaqësuesen A. Ndërkohë Kosova nuk kishte shfaqur interesim për të për disa vjet, pasi nuk po shfaqte shumë te Vikingu.

Vjet shpërtheu te Vikingu duke realizuar 10 gola e 12 asistime në 29 paraqitje në elitën norvegjeze. Por ftesë nga Kosova nuk mori.

“Synimi është të ftohem rregullisht te Kosova dhe natyrisht të luaj. Kështu që besoj se paraqitjet te Konyaspori do të më ndihmojnë shumë në këtë aspekt”, është shprehur 24-vjeçari. “Tash krejt çka më duhet te Konyaspori është të punoj shumë dhe të futem në formën që e kisha te Vikingu për shkak se kam pauzuar tri javë. Në momentin që përshtatem nuk besoj se do të kem telashe”.

Advertisement

Përshtatjen më të lehtë Bytyqit pritet t’ia bëjnë sulmuesit Sokol Çikalleshi e Erdon Daci, të cilët gjithashtu janë pjesë e Konyasporit. Konyaspori aktualisht është në vendin e tetë në Superligën e Turqisë.

“Jam me fat që në klub kam gjetur Sokolin edhe Erdonin, të cilët më kanë pritur shumë mirë dhe po më ndihmojnë shumë që të përshtatem sa më shpejtë. Edhe të tjerët në ekip më kanë pritur mirë, por mendoj që kam pasur fat të jem bashkëlojtarë me Sokolin e Erdonin me të cilët mund të flasë shqip. Ata gjithashtu e dinë edhe gjuhën turke që do të thotë se nuk do të kem telashe”, u shpreh Bytyqi që te Konyaspori do ta bartë fanellën me numrin 14.

Bytyqi pranon se kishte shumë oferta para vetes por në fund zgjodhi atë të Konyasporit. Sipas tij, vendosmëria e drejtuesve të klubit turk e ka bindur që të vendosë për Konyasporin para ekipeve të tjera. Bytyqi ka shtuar se ka dashur ta provojë veten jashtë Skandinavisë dhe se Superliga e Turqisë është e duhura për të.

“Jam shumë i kënaqur me vendimin tim, pasi jam pjesë e një klubi profesional në çdo aspekt. Vendosa për Turqinë dhe Konyasporin për shkak të interesimit të madh që treguan për mua. Drejtuesit ishin të vendosur për të më sjellë, kështu që nuk hezitova të pranoj ofertën e Konyasporit, edhe pse kam pasur edhe të tjera”, ka thënë Bytyqi. “Besoj se te Konyaspori mund të zhvillohem edhe më shumë dhe të shndërrohem në një lojtar edhe më të mirë pasi Superliga e Turqisë është një kampionat i fortë”.

Advertisement

Ai shton se synim e ka që nëpërmjet Konyasporit të sigurojë transferimin në një kampionat dhe ekip më të fortë në të ardhmen.

“Prej Konyasporit synoj të bëj pastaj hapin tjetër të madh në karrierë, të transferohem në një ligë dhe ekip edhe më të fortë. Por, varet gjithçka prej meje dhe besoj t’ia dalë”.

Bytyqi prej vitit 2015 ka luajtur te Vikingu, ku në total ka shënuar 23 gola dhe ka bërë 30 asistime në 154 paraqitje. Ai gjatë karrierës ka qenë pjesë edhe e ekipeve si Red Bull Salzburg e Sandnes Ulf. Te Salzburgu nuk kishte pasur sukses, por beson se largimi i dytë nga Norvegjia do të jetë i suksesshëm.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2020 Struga.info | Privacy policy