Halimi e Ujkani, optimistë për ndeshjen me Suedinë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Lojtarët e Përfaqësueses së Kosovës, mesfushori Besar Halimi dhe portieri Samir Ujkani, janë shprehur optimistë para ndeshjes me Suedinë, që do të jetë e para për “Dardanët” në kuadër të ciklit eliminator për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

Si Halimi, ashtu edhe Ujkani të premten, kanë deklaruar se shpresojnë në një rezultat pozitiv, ndonëse kanë pranuar se përballë kanë një kundërshtar shumë të fortë, që është edhe favorit për ta fituar grupin.

Dueli ndërmjet Kosovës dhe Suedisë, do të zhvillohet të dielën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe i takon grupit B eliminator. Kosova të mërkurën mbrëma, në Prishtinë e mposhti bindshëm Lituaninë në ndeshjen miqësore, me rezultatin 4:0

“Miqësorja me Lituaninë ishte një ndeshje e rëndësishme për ne që të shohim se ku jemi si skuadër. Dhe, mendoj se do të jemi të gatshëm për Suedinë. Do të jetë një ndeshje e vështirë pasi Suedia është një ekip i mirë, me lojtarë që luajnë në ekipet më të mëdha të Evropës. Mirëpo, ne jemi të gatshëm për Suedinë dhe shpresoj të marrim një fitore për ‘Dardanët’, që përkundër kësaj situate të krijuar, vazhdimisht janë afër nesh dhe na përkrahin në forma të ndryshme”, ka thënë Halimi, i cili shënoi njërin prej katër golave të Kosovës ndaj Lituanisë.

Advertisement

Ndërkohë, edhe portieri Ujkani insiston se Kosova është gati për ndeshjen e parë eliminatore dhe shpreson në një rezultat pozitiv. Sipas tij, te Kosova po mendojnë vetëm për ndeshjen me Suedinë, dhe jo për atë ndaj Spanjës, që do ta luajnë më 31 mars në Sevilla.

“Përgatitjet po shkojnë mirë. E kemi pasur kohën pak të vështirë por jemi përgatitur mirë për këtë duel të rëndësishëm. Me Lituaninë ishte një test i rëndësishëm për të treguar se jemi të gatshëm për lojë. Tani në pret një lojë krejt tjetër, me një ekip të fortë që është i nivelit tjetër dhe favorit i grupit. Po ashtu është kthyer edhe Ibrahimoviqi, një top lojtar”, është shprehur Ujkani. “Ne duhet të mendojmë vetëm për Suedinë, kjo është finalja jonë. Të japim maksimumin dhe të shpresojmë në një rezultat sa më të mirë. Të marrim pikët dhe të vazhdojmë me paraqitje pozitive edhe në ndeshjen tjetër. Suedia ekip i organizuar taktikisht, lojtarë shumë të mirë. Por, ne duhet të luajmë lojën tonë dhe të shpresojmë për një rezultat pozitiv”, shtoi Ujkani.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy