Numri një i Kosovës e ka nisur karrierën si sulmuese

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Prishtinë, 13 janar – Florentina Kolgeci nuk mban mend se sa gola ka shënuar për dy vjet sa luajti si sulmuese në klubin e futbollit të femrave “13 Qershori” të Suharekës. Por, se ka shënuar gola, nuk e vë në diskutim. Tani, ajo ka një rol krejtësisht tjetër. Puna e saj në fushë është t’i ndalë gjuajtjet e sulmueseve kundërshtare drejt portës, pasi është portiere. Kolgeci, së fundi ka qenë numri një i Kosovës në pesë ndeshjet e fundit kualifikuese për kampionatin evropian “Euro 2022”.

“Isha e gjatë dhe trajneri mendonte se mund të isha një sulmuese e mirë, mirëpo atëherë kishte mungesë edhe të portiereve në ekip. Atë që e kishim ishte në fakultet dhe nuk mund të vinte në çdo ndeshje, kështu që trajneri vendosi të më provonte si portiere për shkak të gjatësisë. E pa që kisha disa elemente të mira dhe vendosi të më lë si portiere”, tregon Kolgeci fillimin e karrierës së saj.

Ajo karrierën e nisi që në moshën 12-vjeçare. Thotë se ka qenë dëshira dhe vullneti i saj për t’u marrë me futboll. Përkrahjen e kishte dhe vazhdon ta ketë. Mirëpo, shton se familjarët janë edhe kritikuesit më të mëdhenj të saj.

“Qysh e re kam qenë e dhënë pas futbollit dhe kam dashur të luaj vetëm futboll. Asnjëherë nuk kam menduar të merrem me ndonjë sport tjetër. Në vendin tonë kohët e fundit ka filluar të flitet dhe të zhvillohet më shumë futbolli i femrave, prandaj në vitet kur kam filluar të luaj, njerëzit edhe janë habitur se si një vajzë mund të luajë futboll për shkak se futbollin e cilësojnë si sport të meshkujve më shumë”, thotë ajo. “Por, mua nuk më kanë penguar asnjëherë paragjykimet, ndoshta sepse kam qenë shumë e re në moshë dhe nuk ua kam vërë veshin shumë përderisa familja dhe shoqëria më kanë përkrahur në rrugëtimin tim. Jam shumë e lumtur për zgjedhjen time”.

Advertisement

Kolgeci është studente e vitit të dytë në Fakultetin për Kulturë Fizike dhe Sport. Studimet dhe banimin në Prishtinë, thotë se i kryen me të ardhurat që merr nga futbolli.

“Jam shumë e lumtur që nuk i jam bërë barrë familjes në asnjë moment”, ka thënë portierja e klubit të femrave Mitrovica.

Pos Mitrovicës dhe “13 Qershorit”, Kolgeci karrierë ka bërë edhe te Hajvalia. Sukseset e kanë përcjellë në secilën skuadër. Në vitin 2014 është shpallur si lojtarja më e mirë e re në Kosovë. Ajo është katër herë kampione e Kosovës e po aq herë edhe fituese e Kupës. Me Hajvalinë e ka një titull, kurse me Mitrovicën tre vjet rresht është shpallur kampione. Me “13 Qershorin” ka qenë edhe finaliste e Kupës.

“Me ekipin e Mitrovicës i kam sukseset më të mëdha. Me Mitrovicën në vitin 2019 kemi arritur të jemi në mesin e 32 skuadrave më të mira në Evropë, dhe kemi pasur përballje të vështirë kundër një superfuqie si Wolfsburgu”, ka theksuar Kolgeci.

Advertisement

Ndonëse te Kosova është titullarë, kohëve të fundit te klubi saj Mitrovica është portierja e dytë. Kolgeci thotë se e respekton vendimin e trajnerit, por pret që në pranverë të luajë rregullisht.

“Çdo lojtar dëshiron të jetë startues, por fatkeqësisht atë nuk e vendosim ne. Mirëpo, fakti që ndeshjet e fundit kam qenë startuese te Kosova më bën të ndihem shumë e lumtur dhe besoj që kam bërë paraqitje të mira. Jam munduar të jap më të mirën në fushë dhe besoj se nuk i kam zhgënjyer trajnerët”, u shpreh Kolgeci. “Jam mërzitur që nuk kam luajtur më shumë lojë në Ligën e Kampionëve, kjo është normale, por unë respektoj vendimet e trajnerit. Ndoshta, arsyetimi është që jam më e re dhe më duhet më shumë përvojë. Unë kam krijuar bagazh të madh para vetes dhe pres të kem më shumë minutazhë tash e tutje”.

Kolgeci dy vjet ka qenë edhe pjesë e ekipit U-19 të Kosovës, ndërsa nga mosha 14-vjeçare ftohet rregullisht në ekipin “A” të femrave.

“Kemi pasur ndeshje të vështira, të cilat më kanë shërbyer për të mirë siç është ajo kundër kampiones së Evropës, Holandës, por edhe me përfaqësuese të tjera, si Rusia, Turqia, Sllovenia dhe Estonia. Kemi fituar, barazuar e humbur, por secila ndeshje për mua ka qenë përvojë e madhe”, ka deklaruar Kolgeci.

Advertisement

Ajo thotë se në karrierën e saj deri tash ka pasur edhe momente të vështira, por edhe të lumtura. Si momentin më të vështirë e përshkruan lëndimin e pësuar në gju.

“Më është dashur të bëj edhe intervenim kirurgjik, pasi kam këputur ligamentin kryqëzor dhe është dashur të qëndroj jashtë fushës për gati një vit. Por, asnjëherë nuk jam dorëzuar, kam pritur dhe jam kthyer edhe më e fortë”, ka insistuar Kolgeci.

Synimet e saj për të ardhmen janë titulli i kampionit të Kosovës dhe me klubin e Mitrovicës që të shkojë sa më lart në Ligën e Kampionëve.

“Shpresoj që në të ardhmen të kemi edhe kushte më të mira, të kemi paraqitje sa më të mira dhe pse të mos kemi edhe ndonjë transferim nga futbolli ynë në atë ndërkombëtar. Dëshira ime për të ardhmen është që të luaj në kampionatin e Gjermanisë apo të Anglisë. Besoj se me punë mund t’ia dalë”, ka thënë Kolgeci.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2020 Struga.info | Privacy policy