Partizani, stërvitet në “shtëpi” për 76-vjetor…

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Partizani, stërvitet në “shtëpi” për 76-vjetor…

Duket se “ditët e migrimit” për Partizanin po marrin fund. Burime të sigurta brenda klubit të kuq konfirmojnë për RTSH Sport se presidenti Demi i ka kërkuar një datë të caktuar drejtorit të përgjithshëm Rama që skuadra të stërvitet në kompleksin që po ndërtohet.

Ky i fundit, ka garantuar se më 4 shkurt ekipi që drejtohet nga Dritan Mehmeti do të stërvitet në “shtëpinë” e vet dhe këtë radhë është marë një zotim që ky afat do të respektohet. Ndonëse punimet për stadiumin dhe ambjentet e tjera të kompleksit duan kohë të përfundojnë, të paktën fusha e stërvitjes duhet të jetë e përfunduar brenda afatit që kanë vendosur drejtuesit e klubit të kuq.

Në fakt data e kërkuar me ngulm nga Demi ishte një datë simbolike për klubin, sepse data e themelimit për Partizanin njihet ajo e 4 shkurtit 1946, prandaj duket se “dhurata” e presidentit për tifozët merr vlerë pikërisht në këtë datë.

Partizani, duke qënë se ka qënë i vetmi klub 100% privat në “epokën” Demi, ka 9 vjet që shpenzon edhe për ambjentet ku luan apo stërvitet. Përveçse ka harxhuar çdo sezon, për të formuar një skuadër kompetitive në kampionat, ashtu si e presin tifozët, Demit i është dashur të shpenzojë shuma të konsiderueshme jo vetëm për stadiumet ku luan Partizani në kampionate, por edhe për fushat ku stërvitet si ekipi i parë ashtu edhe gjithë ekipet e moshave. Kjo situatë pritet të marë fund në datën 4 shkurt, ndërkohë që stadiumi dhe hoteli priten të jenë gati me nisjen e sezonit të ri 2022-2023.

Advertisement

Ky do jetë rasti i parë në vendin tone, që një klub ndërton me kapital 100% privat një kompleks stërvitor si dhe stadiumin ku do të luaj ndeshjet e veta. Investimi që kap vlerën e 10 milion eurove po ndërtohet në Tiranë në zonën e Tufinës pranë Shërbimit Gjeologjik Shqiptar.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy