Ragbi në Kolumbi: Një arratisje nga e kaluara e dhunshme

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kur Alejandro dhe Julian Navarro filluan të luanin për herë të parë ragbi, ata ndonjëherë duhej të ndalonin stërvitjen, sepse mund të dëgjonin betejat me armë ndërmjet bandave rivale që po afroheshin në fushë. Situata ishte aq e keqe në qytetin e tyre të lindjes, Medellin, në fillim të vitit 2010 sa që një vrasje me sa duket nuk ishte as ndonjë ngjarje tronditëse.

“Vrasja ishte rutinë”, tha Juliani 23-vjeçar.

Mirëpo, shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ato ditë. Medellini, qyteti i dytë më i madh i Kolumbisë, ka lënë pas etiketën e tij famëkeqe të një “kryeqyteti të kokainës” për t’u bërë një nga qytetet më të gjalla të Amerikës së Jugut, pasi përpiqet të tërheqë fillestarë të teknologjisë dhe grupe muzikore.

Alejandro dhe Juliani, që hapat e parë në ragbi i morën në fusha me zhavorr, tani janë pjesë e ekipit të parë profesionist të ragbit në Kolumbi, dhe mrekullohen me idenë se paguhen për ta luajtur këtë sport.

Advertisement

Vëllezërit Navarro luajnë për ekipin Cafeteros Pro, eksperimenti i fundit në ragbi i klubeve ndërkombëtare. Duke u përpjekur të përsërisë suksesin e Jaguares të Argjentinës në turneun “Super Rugby”, Federata e Ragbit të Kolumbisë (CRF), e krijoi ekipin Cafeteros si ekskluzivitet të saj kombëtar për të zhvilluar talentin dhe futur profesionalizmin në vend.

Ndërsa, loja në Kolumbi mbetet amatore aktualisht, 20 nga lojtarët më të mirë kolumbianë janë nën kontrata, me dhjetë prej tyre që janë nga Argjentina, për të luajtur për ekipin Cafeteros në kampionatin “Superliga Americana de Rugby”, një garë e re ndërkombëtare për klube, e cila përfshin Argjentinën, Brazilin, Kilin, Kolumbinë, Paraguain dhe Uruguain. Superliga ka nisur në fillim të kësaj jave në Kili dhe nëse lejon pandemia, atëherë kampioni i parë i Amerikës së Jugut në ragbi do të jetë i ngjashëm me atë të Copa Libertadores në futboll. Me krijimin e ekipit Cafeteros, Federata Kolumbiane shpreson të formojë një grup thelbësor të lojtarëve ndërkombëtarë për të qenë pjesë e përfaqësueses së Kolumbisë. Kolumbia nuk ka arritur kurrë në fazën e fundit të një Kupe Botërore në këtë sport dhe synimi është që kjo të arrihet deri në vitin 2031, bazuar në fjalët e shefit të performancës në Federatën e Kolumbisë, David Jaramillo.

Me pak zili në sytë e tij, Jaramillo – një ish-lojtar – tregon ambientet e klasit botëror ku stërviten lojtarët e Cafeteros, të vendosur në një lagje të klasës punëtore në Medellin. Në ditët e tij kur ishte lojtar aktiv, Jaramillo thotë se do të luante në çfarëdo pozicioni që kërkohej. Lojtarët e Cafeteros tani stërviten nga dy herë në ditë, kalojnë kohë në palestër dhe bëjnë video-analiza e seanca taktike.

“Ne duam që lojtarët të punojnë në ragbi, të jetojnë dhe ta ëndërrojnë këtë sport gjatë gjithë kohës. Kjo ka qenë gjithmonë ëndrra jonë dhe ne punojmë për ta bërë realitet”, tha Jaramillo.

Advertisement

Mundësi për të gjithë

Në krye të Cafeteros është Rodolfo Ambrosio, një trajner argjentinas që udhëhoqi Brazilin në fitoren e tyre të parë ndonjëherë në Evropë, dhe në mesin e 30 përfaqësueseve të para në renditjen botërore për herë të parë në histori. Ambrosio është i vendosur që Amerika Latine do të bëhet një forcë në ragbi në të ardhmen po aq sa është në futboll tani, e ushqyer nga gjenetika dhe nevoja. Vendet si Brazili dhe Kolumbia, thotë ai, janë të bekuara me shumë atletë të rinj si Juliani dhe Alejandro, të cilët po trokasin në dyert e sporteve profesionale. Ndërsa, Kolumbia tashmë ka pasur një shpërthim në çiklizmin profesional – Egan Bernal u kurorëzua si kolumbiani i parë që triumfoi në “Tour de France” në vitin 2019 – ragbi do të jetë sporti i radhës, sipas Ambrosios.

“Në të gjithë botën, ragbi po bëhet një mundësi e mirëfilltë pune, po rritet dhe u jep perspektivë lojtarëve si këta në Cafeteros që të shkojnë jashtë vendit dhe të kenë suksese”, tha Ambrosio, duke cituar ligat profesionale në zhvillim në SHBA dhe Azi, si mundësi të ardhshme punësimi.

Në shtëpi, Cafeteros është mbështetur nga fondet publike nga Komiteti Olimpik i Kolumbisë dhe Federata Botërore e Ragbit, por pavarësisht përçarjes që krijoi pandemia, Federata Kolumbiane tashmë ka filluar tërheqjen e investitorëve privatë për të ndihmuar në rritjen e këtij ekipi. Juliani dhe Alejandro janë shumë të vetëdijshëm se ragbi u ka ofruar atyre një mundësi pune në Medellin dhe për këtë arsye po punojnë shumë. Ndërsa, udhëtimi i dy vëllezërve nga fëmijët e lagjeve të varfra në atletë profesionistë, është në vetvete një metaforë e përparimit të fundit ekonomik të Kolumbisë, ata thonë se shumë prej bashkëqytetarëve të tyre mbeten të bllokuar midis mundësive të pakta të punës dhe një jete kriminale. Ata shpresojnë se ragbi mund të ndihmojë në ndryshimin e kësaj.

Advertisement

“Deri më tani, kemi pasur vetëm futboll. Ragbi është një derë e re që po hapet për ne që të dalim dhe ta jetojmë jashtë kufijve si dhe të qëndrojmë larg rrugëve”, thotë Alejandro 22-vjeçar.

Frymëzim për të rinjtë

Në shtëpi, prindërit e Julianit dhe Alejandro janë shumë krenarë për arritjet e fëmijëve të tyre. Babai i tyre punon si punëtor në një thertore poshtë rrugës derisa mamaja, Gladys, është mësuese dhe merret me edukimin e fëmijëve. Historia e fëmijëve të familjes Navarro tashmë ka bërë bujë pothuajse në të gjitha lagjet e varfra të Amerikës Latine. Në Medellin, Juliani dhe Alejandro janë shembull i vërtetë për të gjithë të rinjtë. Në fakt, ata i kanë edhe katër motra më të vogla, të cilat synojnë që një ditë të luajnë ragbi sikurse Juliani e Alejandro. Dy vëllezërit insistojnë se historia e tyre është e veçantë pasi nuk ka të bëjë me drogën, dhunën apo abuzimin familjar, por me arritjen në sport dhe atë në një sport pothuajse të panjohur në Kolumbi. Tani, ata kanë një synim tjetër para vetes. Duan që të rinjtë tjerë të Medellinit t’i tërheqin nga rruga për t’iu përkushtuar sportit, në këtë rast ragbit. Fitorja e tyre më e madhe, thonë dy lojtarët, është të mbajnë brezin e ri larg krimit dhe bandave kriminale.

“Deri në vitin 2031, unë do të jem 32-vjeçar, do të jetë e vështirë të jem në Kampionatin Botëror, si një lojtar aktiv”, thotë Alejandro. “Por mbase një nga të vegjlit në familjen tonë, mund të jetë i mirë dhe ta përfaqësojë Kolumbinë. Pse jo, të jetë edhe kolumbiani i parë që do të ketë karrierë të suksesshme dhe të fitojë trofe”.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy