Xhemaili: Jam krenare që jam në gjendje ta këndoj himnin e Zvicrës

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Riola Xhemaili është kapitene e Baselit dhe njëra prej lojtareve më të reja në Përfaqësuesen e Zvicrës në futboll. Madje është prej më të rejave që ka luajtur ndonjëherë për Zvicrën. Xhemaili të premten u aktivizua si zëvendësuese për Zvicrën që barazoi 1:1 me Çekinë në ndeshjen e parë të plejofit për kualifikim në “Euro 2022”. Ndeshja e kthimit luhet më 13 prill në Thun të Zvicrës. Ajo luajti prej minutës së 65-të, ndërsa Zvicra barazoi vetëm në fund të takimit.

Riola, 18-vjeçare, ka luajtur 21 ndeshje këtë edicion për Baselin në elitën helvetike. Ka realizuar tetë gola dhe ka përgatitur dy të tjerë. Te Zvicra ka debutuar më 22 shtator të vitit të kaluar ndaj Belgjikës. U aktivizua në vend të Ramona Bachmann. Me aktivizimin në vend të kësaj lojtareve, Riola ka realizuar ëndrrën.

“Ramona ka qenë lojtarja ime më e pëlqyer prej se kam nisur të luaj futboll”, ka thënë Riola Xhemaili për “20min.ch”.

Gazeta e madhe zvicerane ka shkruar se Xhemaili është ambicioze. Ka synime, ëndrra. Ajo është krenare me sukseset që ka pasur deri më tani në karrierë.

Advertisement

“Por unë kam shumë synime të tjera që dua t’i arrij. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme. Ju nuk do të shkoni shumë larg pa synime në jetë. Unë kam bërë hapat e parë. Por dua shumë më tepër”, ka theksuar futbollistja shqiptare.

Xhemaili nuk e sheh veten gjatë në kampionatin zviceran. Ajo synon të luajë në ndonjë kampionat më të fortë pas disa vjetëve. Chelsean e ka destinacion të pëlqyer.

“Klubi nga Londra është prej adresave më të mira në futbollin e femrave. Është ëndërr e imja e fëmijërisë që të bëhem lojtare e Chelseat”.

Ajo ka nisur të luajë futboll në moshë të re. Kur ishte dhjetë vjeçe e shoqëronte vëllanë binjak, Rionin, që luante për U18 të Baselit, në një seancë stërvitore te Solothurni. Në atë kohë Riola luante ende volejboll. Por vendosi për karrierë në futboll e jo në volejboll. Nisi me stërvitje futbolli dhe së bashku me vëllanë kaluan te Baseli.

Advertisement

Në shkurt të vitit 2019 shënoi golin e parë për Baselin në fitoren 2:1 ndaj Young Boys. Ishte vetëm 15 vjeçe. Dhe emri i saj nisi të bëhej i njohur.

“Unë asnjëherë nuk kam menduar se jam më e mirë se të tjerat. Unë jam Riola, futbolliste. Asgjë më shumë. Asgjë më pak. Futbolli është si familje e dytë për mua. Mund ta dalloj veten, të tregoj personalitetin. Është çdo gjë për mua”, thotë Xhemaili.

Ajo është bijë e prindërve nga Kosova dhe e lindur në Solothurn. Por asnjëherë nuk ka pasur dilema nëse dëshiron të luajë për Zvicrën.

“Natyrisht se kam familjarë në Kosovë që janë shumë krenarë për mua. Por unë gjithnjë kam dashur të paraqitem për Zvicrën. Jam rritur këtu dhe jam krenare që jam në gjendje të këndoj himnin e Zvicrës”, thotë ylli i Baselit.

Advertisement

Në Zvicër janë rritur e po rriten shumë futbollistë shqiptarë. Por po rriten edhe futbolliste që pritet të arrijnë majat së shpejti.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy