Hap fals i Teutës, ndalet nga Skënderbeu

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Hap fals i Teutës, ndalet nga Skënderbeu

Barazim spektakolar në Kamzë mes Teutës dhe Skënderbeut, që e mbyllën në barazim 2-2 përballjen mes tyre. Ndeshja e tretë radhazi pa fitore për kampionët në fuqi, që ndajnë vendin e tretë me Vllazninë me nga 13 pikë, ndërsa skuadra e Migen Memellit, që tentoi deri në fund fitoren, merr një pikë me vlera për objektivin mbijetesë dhe renditet në vend të parafundit me 7 pikë.

Të parët kaluan në avantazh korçarët. Ishte minuta e 19-të kur Jean Victor krosoi nga krahu i majtë dhe Alfred Mensah dërgoi topin në trekëndësh falë një goditje shumë të bukur me kokë. Goli i tretë sezonal në Abissnet Superiore për sulmuesin me origjinë nga Gana.

Kampionët e Edi Martinit reaguan dhe barazuan pa u mbyllur pjesa e parë. Asist i Kallakut dhe gjuajtje potente e Lorenco Vilës (36’), i cili më parë dribloi Dwoumfour në zonën e Skënderbeut.

Teuta e filloi pjesën e dytë njësoj siç mbylli të parën. Sërish Lorenco Vila autori i golit (48’), që u konfirmua edhe nga VAR-i. Durrsakët u kënaqën pas avantazhit, ndërsa Skënderbeu nuk u dorëzua dhe nisi sulmet.

Advertisement

Elvi Berisha pretendoi për penallti, por Enea Jorgji gjykoi se sulmuesi anësor i Skënderbeut ishte në pozicion të parregullt pasi pa rastin në monitorin e VAR-it.

Skënderbeu nuk u demoralizua dhe ia doli të gjejë golin e barazimit me anë të Melos Bajramit (78’), i cili kishte pak çaste që ishte future në fushë. Mbrojtësi dardan shfrytëzoi një kros të ardhur nga goditja e dënimit, kërceu lart dhe dërgoi me kokë topin në rrjetë.

Të dy skuadrat u hapën, tentuan golin e fitores në minutat e mbetura, por as 7 minutat shtesë nuk prodhuan më gola dhe Teuta e Skënderbeu ndanë nga një pikë në sfidën e fundit të fazës së parë.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy