Kosova vazhdon të marrë medalje në sporte luftarake

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Dy sportistë kosovarë kanë fituar medalje në Kampionatin Evropian për Kadetë në taekwondo, që u mbajt në fundjavë në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës. Përfaqësuesja e Kosovës mori pjesë me tre taekwondistë të grupmoshës deri 15 vjet, ndërsa dy prej tyre fituan medalje të bronzta.

Për të siguruar medaljet u mjaftoi nga një fitore. Edhe për shkak të situatës me koronavirus, në disa kampionate evropiane konkurrenca këtë vit nuk ishte si zakonisht. Numri i garuesve ishte më i vogël dhe medalja është siguruar me më pak fitore. Por kjo nuk vë në dyshim potencialin e të rinjve kosovarë për sportet me të cilat merren.

Të shtunën medalje fituan Jon Gashi e Elion Agushi. Jon Gashi e fitoi medaljen në kategorinë deri 61 kilogramë. Në këtë kategori garuan nëntë taekwondistë, sipas të dhënave zyrtare. Jon Gashi në luftën e parë e mposhti polakun Mikolaj Sokolowski. Humbi menjëherë në luftën e dytë nga francezi Moncef Miguel. Kalimi në gjysmëfinale, me një fitore, ia siguroi Gashit medaljen e bronztë evropiane.

Në kategorinë deri 57 kilogramë, Elion Agushi po ashtu kishte një fitore e një humbje. Ai fillimisht e mposhti Stefan Gab Agrisanin e Rumanisë. Në luftën e dytë humbi nga Fahrudin Adiloviq i Bosnjë-Hercegovinës. Në kategorinë deri 57 kilogramë ishin pesë garues. Katër prej tyre fituan medaljen. Konkurrencë më të madhe kishte në kategorinë deri 41 kilogramë. Aty u paraqit edhe Orion Oseku, që u ndal në luftën e parë. Gjithsej në këtë kategori ishin 11 taekwondistë.

Advertisement

Në Evropianin e kadetëve në taekwondo ka pasur kategori edhe me katër garues, ndërsa më së shumti ishin 11 në kategori. Medalja e bronztë nuk dallon nga kategoria në kategori, por kur bëhet fjalë për shpërblim financiar që e ndan shteti i Kosovës, atëherë numri i garuesve ka shumë vlerë.

Rregullorja për Ndarjen e Shpërblimeve Shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulminante në garat ndërkombëtare, përcakton se sa garues duhet të jenë në ngjarje dhe në kategori, për të fituar shpërblimin.

“Rezultate të vlefshme për shpërblime shtetërore nga kampionatet evropiane, sipas kësaj rregulloreje, janë vetëm rezultatet e arritura në kampionatet evropiane në të cilat marrin pjesë së paku 20 shtete, me së paku 8 sportistë/ekipe, në disiplinën apo kategorinë përkatëse”, shkruan në rregullore.

Në bazë të kësaj, Gashit i takon shpërblimi kurse Agushit jo. Derisa kushti prej 20 shteteve plotësohet, për Agushin nuk plotësohet kushti për garues në kategori. Sipas të dhënave zyrtare, në Evropianin e Kadetëve ishin 23 shtete, ndërsa në kategorinë deri 57 kilogramë vetëm pesë garues.

Advertisement

Medaljet nga Evropiani pritet të frymëzojnë taekwondistët e rinj për më shumë punë e suksese në karrierë. Ndërkohë mund të nxisin të rinj të tjerë që të merren me sportin e taekwondos.

Suksesit të taekwondistëve të rinj i ka bërë jehonë edhe Komiteti Olimpik i Kosovës që përcjell sukseset në garat ndërkombëtare.

Bujë kohë më parë bënë edhe medaljet e boksierëve. Edhe ata siguruan vend në podium me nga një fitore. Remzo Mustafiq në Evropianin e të rinjve në Budvë (17, 18 vjeç) fitoi të bronztën në kategorinë deri 91 kilogramë. Mustafiq rrethin e parë e kaloi pa luftë, ndërsa në çerekfinale e mposhti izraelitin Manuchar Kriheli. Ukrainasi Mykyta Gorbatenko e mposhti në gjysmëfinale. Me kalimin në gjysmëfinale, Mustafiq siguroi të bronztën dhe është i kualifikuar për shpërblim shtetëror, pasi në kategorinë e tij ishin 12 garues.

Në Evropianin e Juniorëve (15, 16 vjeç) për Kosovën medalje fitoi Alnera Brahimi. Ajo garoi në kategorinë deri 70 kilogramë, ku ishin pesë garuese. Rrethin e parë e kaloi pa luftë dhe menjëherë ishte në zonën e medaljeve. Por e mposhti në gjysmëfinale Aleksanda Meliss të Estonisë. Në finale pësoi nga rusja Zykhro Umarbekova.

Advertisement

Në kategori të reja medalje janë fituar edhe në xhudo e karate, gjatë 2020-s. Xhudistja Laura Fazliu fitoi të bronztën në Evropianin U-21, në kategorinë deri 63 kilogramë. Ajo fitoi dy luftërat e para, e humbi të tretën dhe e fitoi të katërtën. Në kategorinë e saj ishin 24 xhudiste.

Laura Fazliu fitoi të bronztën edhe në Evropianin U-23. Në kategorinë e saj garuan plot 31 xhudiste.

Image

Katër medalje i fituan karateistët në Evropianin për kadetë, juniorë dhe garues deri 21 vjet. Betim Maliqi fitoi të bronztën te juniorët, në kategorinë deri 68 kilogramë. Në kategorinë e tij ishin 41 garues. Albulena Gërvalla fitoi po të bronztën në kategorinë deri 55 kilogramë, në grupmoshën U-21. 33 garuese ishin në atë kategori. Vesa Ibrahimi fitoi të bronztë në kategorinë deri 68 kilogramë, në grupmoshën U21 ku ishin po ashtu 33 garuese. E bronzta i takoi edhe Benjamin Shabanit në kategorinë mbi 84 kilogramë, në grupmoshën U-21, ku ishin 26 garues. Të gjithë karateistët kishin nga katër fitore.

Ka kohë që Kosova në sportet individuale merr medalje vetëm në sportet luftarake. Natyrisht, xhudistët kanë bërë shkëputje në krahasim me sportistët e tjerë. Këtë vit te seniorët medalje kanë fituar vetëm xhudistet Distria Krasniqi e Loriana Kuka.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy