Lille gjurmon rrugën e vështirë drejt titullit të kampionit në Francë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Paris Saint-Germaini ka eliminuar Barcelonën dhe ka mposhtur Bayern Munichun në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Por skuadra e madhe parisiene e ka lënë “derën hapur” në kampionat duke i dhënë skuadrës së Lillet mundësinë që ta fitojë titullin e kampionit në Ligue 1 pas një dekade.

Lille e tronditi PSG-n në kryeqytetin e Francës fundjavën e kaluar, duke e mposhtur me rezultatin 1:0 për të forcuar pozitën e parë në tabelë. Kur kanë mbetur edhe shtatë xhiro deri në fund të këtij sezoni, Lille ka 66 pikë, tri më shumë se PSG-ja që zë vendin e dytë në tabelë pas 31 ndeshjeve të luajtura.

PSG-ja ka humbur tetë herë këtë edicion, ndërsa Monaco dhe Lyoni janë ekipe që gjithashtu po e sfidojnë Lillen për titullin e kampionit. Monaco renditet e treta me 62 pikë, një më shumë se Lyoni që është i katërti. Është një garë e paparashikueshme për titullin e kampionit në Ligue 1 dhe fakti që vetëm tri ekipet e para do të kualifikohen për sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampionëve e bën garën edhe më të fortë.

Buxheti operativ i Lille raportohet të jetë vetëm rreth një e katërta e atij të PSG-së, por blerja dhe shitja e mençur e lojtarëve kanë bërë që skuadra të jetë aty ku është tani, së bashku me punën e shkëlqyer të trajnerit të shquar Christophe Galtier.

Advertisement

Pasi përfundoi në pozitën e dytë pas PSG-së në vitin 2019, Lille e shiti sulmuesin Nicolas Pepe te skuadra e Arsenalit për një shifër prej 80 milionë eurosh. Në sezonin e kaluar të Ligue 1, të shkurtuar për shkak të pandemisë, Lille doli i katërti dhe më pas e shiti edhe golashënuesin më të mirë, Victor Osimhenin. Osimhen iu bashkua Napolit në verën e shkuar për 70 milionë euro. Me dy lojtarë të shitur brenda një viti, Lille arkëtoi hiq më pak se 150 milionë euro. Megjithatë, njohuria e skautit fantastik, portugezit Luis Campos e lejoi Lillen të rigjenerohej. Campos është skaut i njohur në futbollin francez, pasi në vitin 2017 ndihmoi në ndërtimin e ekipit të Monacos, i cili doli kampion. Tre startues kundër PSG-së, portieri Mike Maignan, Boubakary Soumare dhe Jonathan Ikone, u larguan nga Parisi për te Lille në kërkim të minutazhës në ekipin e parë. Një tjetër i ri i PSG-së, Timothy Weah, bëri të njëjtën gjë dhe u inkuadrua nga banka e rezervistëve te Lille kundër ish-ekipit të tij.

Lille ka investuar diku tjetër, përfshirë 27 milionë euro për të nënshkruar me sulmuesin kanadez Jonathan David nga Genti. Ai shënoi golin e fitores në Paris.

“Këtë sezon kemi qenë shumë të fortë kolektivisht, pavarësisht se kemi më pak lojtarë të talentuar se ekipet e tjera që po luftojnë për titullin e kampionit. Megjithatë falë lojës kolektive ne ishim në gjendje të garonim për kreun e tabelës dhe tani jemi në një pozitë kur kemi filluar të mendojmë për titullin e kampionit”, tha Galtier, i cili prej vitit 2017 është në krye të Lille. “Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, atëherë mund ta rikthejmë titullin në Lille pas një pritjeje prej dhjetë vjetësh. Mirëpo ende është herët të flitet për një gjë të tillë, pasi fokusi ynë është të shkojmë ndeshje pas ndeshjeje”.

Galtier, i cili ka pasur suksese si trajner edhe te Saint-Etienne, ka arritur ta mbajë Lillen në rrugën e duhur gjatë këtij edicioni, pavarësisht trazirave jashtë fushës. Në dhjetor klubi iu shit kompanisë “Callisto”, një filiale e fondit të investimeve “Merlyn Partners”. Skauti Campos u largua, ndërsa u emërua një president i ri. Galtier mendon se ky sezon ka qenë “sfida e tij më e madhe”.

Advertisement

“Ne duhet të vazhdojmë dhe t’i japim vetes shansin më të mirë të mundshëm ndërkohë që kuptojmë se mund të mos përfundojmë të jemi kampionë dhe mund të mos kualifikohemi as në Ligën e Kampionëve. Kryesorja është të mos pendohemi për atë që kemi bërë këtë edicion”, tha Galtier.

54-vjeçari, dikur ndihmëstrajner në Portsmouth, mund të largohet në fund të sezonit pasi kohët e fundit emri i tij është lidhur me ekipet si Lyon e Nice. Sidoqoftë, ai thotë se është plotësisht i përqendruar në punën e tij te Lille, ekip me të cilin shpreson të ketë sukses në fund.

“Unë jam me të vërtetë i lumtur këtu, por nuk mendoj se do të qëndroj për shtatë apo tetë vjet siç kam bërë në Saint-Etienne”, tha Galtier, ekipi i të cilit ndeshjen e radhës e luan kundër Metzit.

“Katër ose pesë vjet më parë doja të shkoja jashtë vendit. Nëse do ta bëja, gjithmonë kam thënë se liga angleze është ëndrra ime. Liga angleze është bërë më e mira në botë. Ka kaq shumë pasion”.

Advertisement

Në histori të klubit Lille, që është themeluar në vitin 1944, ka fituar tre tituj kampioni të Francës. Titullin e katërt trajneri Galtier po shpreson ta festojë me futbollistët e tij në muajin tjetër.

Pas Metzit, skuadra e Lillet deri në fund të sezonit do të përballet edhe me Montpellierin, Lyonin, Nicen, Lensin, Saint-Etiennen dhe Angersin.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy