Serbët formojnë seleksion të “Kosovës e Metohisë” për fëmijë, planifikojnë edhe për seniorë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Përzgjedhje të futbollistëve të rinj nga territori i Kosovës të martën kanë luajtur dy ndeshje miqësore në Kralevë të Serbisë. Nuk bëhet fjalë për përzgjedhje të Federatës së Futbollit të Kosovës, por përzgjedhje, përkatësisht ekipe me futbollistë të përzgjedhur, të ashtuquajturës “Federatë e Futbollit të Kosovës dhe Metohisë”.

Kjo e ashtuquajtur federatë është pjesë e Federatës së Futbollit të Serbisë. Dhe organizon garat e Federatës së Futbollit të Serbisë në territorin e Kosovës. Kjo vlerësohet shkelje e rëndë, por që deri më tani nuk është ndaluar.

Për më tepër, e ashtuquajtura “Federatë e Futbollit të Kosovës e Metohisë” po tenton të fuqizohet dhe të rritë aktivitetet. Për herë të parë ka themeluar seleksione, përkatësisht ekipe të përzgjedhura. Fillimisht janë themeluar ekipet në kategoritë e reja, te fatosat dhe pionierët. Por synohet themelimi edhe i ekipeve të përzgjedhura të seniorëve. Kjo nënkupton krijimin e një “përfaqësueseje” të serbëve nga territori i Kosovës.

Dy seleksionet e së ashtuquajturës “Federatë e Futbollit të Kosovës dhe Metohisë” të martën kanë luajtur ndeshje miqësore me “FK Kiker”, në stadiumin e Metalcit në Kralevë. Është njoftuar për ndeshje të “regjionit të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Metohisë” me këtë ekip.

Advertisement

Të hënën janë publikuar listat e lojtarëve të ftuar, ndërsa si instruktor është paraqitur Nikola Raduloviq. Udhëtimi për në Kralevë është bërë të martën, ndërsa fillimisht është bërë një fotografi e përbashkët në Mitrovicën Veriore.

“Shumë mirë janë mbajtur pionierët tanë, por në fund fitore e merituar e Kikerit. Kiker 2:0 FFKeM”, shkruan në një njoftim të publikuar në profilin në “Facebook” të së ashtuquajturës “Federatë e Futbollit të Kosovës dhe Metohisë”.

“Lojë e shkëlqyeshme e fatosave. Pas një gabimi dhe një goli të pranuar, me lojë të shkëlqyeshme fatosat arrijnë te fitorja. Rezultati 2:1”, shkruan në njoftimin tjetër në faqen e njëjtë.

Para udhëtimit, i pari i së ashtuquajturës “Federatë e Futbollit e Kosovës dhe Metohisë”, Igor Uljareviq, ka thënë se kjo është një ditë e madhe për futbollin në këtë hapësirë. Ai ka thënë se ka përkrahjen e drejtuesve të Federatës së Futbollit të Serbisë. Uljareviq ka zbuluar planet për krijimin e përzgjedhjes së seniorëve.

Advertisement

“Pas 23 vjetësh, më në fund kemi formuar seleksionet në kategoritë e pionierëve dhe fatosave, në të cilat janë fëmijët nga Ropotova, Pasjani, Graçanica, Leposaviqi, Mitrovica, Zubin-Potoku… I kemi thirrur të gjitha klubet aktive në Kosovë e Metohi që të na i dërgojnë fëmijët më të talentuar, që sot janë pjesë e këtyre ekipeve. Njëjtë do të veprojmë në kategorinë e kadetëve, ndërsa plani është të formojmë edhe seleksionin e seniorëve. Duhet ta kthejmë Kosovën e Metohinë në hartën e futbollit të Serbisë. Këtë e meritojmë pasi kemi shumë fëmijë të talentuar”, ka thënë Uljareviq, raporton “radiokontaktplus.org”.

Instruktori në të ashtuquajturën “Federatë e Futbollit të Kosovës e Metohisë”, Nikola Raduloviq, ka theksuar se ka përzgjedhur nga 22 lojtarë te pionierët dhe fatosat. Sipas tij, rezultati nuk është i rëndësishëm, por zhvillimi i fëmijëve dhe “prezantimi i duhur i Kosovës dhe Metohisë”.

Federata e Futbollit e Kosovës, që është organi i vetëm që e ka të drejtën e organizimit të garave dhe formimit të ekipeve përfaqësuese në territorin e Kosovës, vazhdimisht ka dënuar me deklarata aktivitetet e Federatës së Futbollit të Serbisë në territorin e Kosovës. Ka kërkuar nga organet shtetërore që t’i ndërpresin ato. Po ashtu, shpesh është thënë se do t’i shkruajnë UEFA-s e FIFA-s lidhur me këtë çështje.

KOHA të martën mbrëma nuk ka mundur të marrë një prononcim të FFK-së lidhur me aktivitetin në Kralevë. Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, nuk i është përgjigjur KOHËS.

Advertisement

Serbia organizon gara në territorin e Kosovës edhe në sporte të tjera. Integrimi i serbëve të Kosovës në sistemin sportiv të shtetit ka qenë i pamundur, me gjithë angazhimin e kohëpaskohshëm.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy