Maqedonia e Veriut merr hua të reja për t’i larë borxhet e vjetra

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Borxhi publik i Maqedonisë së Veriut në tremujorin e tretë të këtij viti ka arritur në 55.8 për qind të Bruto Prodhimit Vendor, përkatësisht në tetë miliardë euro, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave të muajit tetor.

Megjithëkëtë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut planifikon të marrë borxh të ri, në vlerë të 1.2 miliard eurove.

Kjo shumë e re e huamarrjes do të përdoret për të shlyer borxhet e vjetra, si dhe për të mbuluar deficitin buxhetor për vitin e ardhshëm, i cili është parashikuar të jetë rreth 545 milionë euro.

Eksperti i ekonomisë, Zoran Ivanovski, thotë se në rrethana kur borxhi publik arrin në kufirin prej 60 për qind të Bruto Prodhimit Vendor, shteret mundësia për marrjen e borxhit shtesë, veçanërisht nëse bëhet fjalë për shlyerje të borxheve.

Advertisement

Ai vlerëson se në vend të huamarrjeve të reja për të shlyer të vjetrat, duhet menduar për shitjen e pronave, objekteve apo kompanive më pak të vlefshme, pasi, siç thekson, në plan afatgjatë thellimi i borxhit publik vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë fiskale.

“Duhet të mendohen alternativa të tjera pasi kështu ne vazhdimisht ristrukturojmë borxhet dhe vazhdojmë të marrim borxh me norma të larta të interesit”, thotë Ivanovski.

Nga ana tjetër, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore thonë se shteti ka standarde të dyfishta për sa i përket borxhit që ka sektori privat ndaj institucioneve të shtetit dhe anasjelltas.

“Kompanitë që kanë borxh ndaj shtetit, ato me ligj janë të detyruara ta shlyejnë brenda 60 ditëve, por kur shteti u ka borxh kompanive në bazë të ligjit nuk përkufizohet afati i që kanë institucionet që të shlyejnë borxhin ndaj kompanive. Pra, kjo mundëson që institucionet për një kohë më të gjatë të mos shlyejnë borxhin ndaj sektorit privat dhe t’i mbajnë varur bizneset duke mos ua shlyer borxhet”, thotë Durim Zeqiri, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Advertisement

Por, për Borçe Trenovskin, profesor në Fakultetin e Ekonomisë në Shkup, thellimi i borxhit publik është alarmues për ekonominë e vendit.

“Si reforma më të mëdha që do të sjellin rezultate për sa i përket rritjes së Bruto Produktit Vendor, do të ishin rritja investimeve kapitale, përforcimi i sektorit ekonomik vendor, i cili do të jetë në gjendje të eksportojë jashtë vendit, ulja e ekonomisë joformale dhe përforcimi i institucioneve. Në këtë mënyrë mund të flitet për ulje të borxhit publik”, vlerëson Trenovski.

Ndryshe, buxheti i Maqedonisë së Veriut për vitin 2024, të cilin e kanë prezantuar kryeministri Kovaçevski dhe ministri i Financave, Fatmir Besimi, më 14 nëntor, arrin vlerën e mbi 5.4 miliardë eurove./REL/

Maqedonia e Veriut merr hua të reja për t’i larë borxhet e vjetra shkruan Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy